Search

Kusari – Lila: Kosova e Re jo me thëngjill, thëngjilli të shfrytëzohet vetëm për kapacitetet ekzistuese

12 Shkurt, 2021


Kandidatja për deputete nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesuesja e Grupit të Deputetëve të Gjelbër, Mimoza Kusari – Lila, ishte e ftuar në emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova.

Kusari – Lila foli për planet e programit qeverisës të subjektit ku bënë pjesë ajo duke shpalosur edhe planet për sektorin e energjisë, me theks të veçantë diversifikimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, rritjen e fondit për efiçiencë dhe kundërshtimin e projektit të ‘Kosova e Re’ me thëngjill.

‘Energjia është një pjesë që kemi nevojë shumë më tepër për avansim të masave të energjisë efiçiente, të rritjes së investimeve shtetërore në energji efiçiente, dhe të diversfikimit të burimeve të ripërtërishme, kur dihet se kemi pasur shumë probleme mjedisore me hidrocentralet’, tha Kusari – Lila.

Kusari – Lila propozon ligj të veçantë për ujërat

Ish kryetarja e komunës së Gjakovës, shpalosi planin për propozim të ligjit të veçantë për ujërat, që një herë e mirë do të përcaktojë rastet e lejuara të përdorimit të burimeve ujore, qoftë edhe për arsyje industriale.

‘Për trajtimin e kësaj çështje kemi propozuar që të kemi një ligj të veçant të ujërave që saktë dhe qartë do të specifikojë se në cilat raste mund të përdoren burimet e pakta ujore. Natyrisht edhe zbatimin e drejtë të ligjeve dhe kushtetutës që nuk mund të marrësh ujin e pijës apo ujin për ujitje dhe ta përdorësh për prodhim të energjisë, apo për qëllim industriale, sepse janë të parapara kriteret dhe niveli se si duhet të përdoret uji për pije sipas dhe drejtës elementare njerëzore’, tha Kusari – Lila.

Brezi kufitar Kosovë – Shqipëri ka potencial të veçantë të zhvillimit të energjisë me erë

Ndërsa shumica e partive garuese në zgjedhjet e 14 shkurtit theks të veçantë i kanë dhënë zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme, Kusari – Lila tha se Kosova ka potencial të jashtzakonshëm për të zhvilluar këto burime, ndërsa spikati brezin kufitar Kosovë – Shqipëri si një ndër lokacionet me kushtet më të mira për zhvillimin e projekteve energjetike të erës.

‘Me zhvillimin e kapaciteteve të mëtutjeshme në energjinë e erës dhe energjinë solare, kemi vërejtur se në Kosovë ka potencial, e në veçanti për atë të erës’, tha Kusari – Lila.

‘Ciklet ajrore që i kemi përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë ofrojnë potencial të madh të energjisë së erës që nuk është shfrytëzuar aq sa duhet, por edhe potencialit të zhvillimit të turizmit’, njoftoi Kusari – Lila.

Nuk kemi arritur objektivat për burime të ripërtëritshme, ndërsa projektet janë përcjellur me dëme mjedisore

Kur është pyetur se në çfarë kapacitete është e shfrytëzueshme energjia e erës dhe potenciali i saj për të zëvendësuar burimet e deritanishme të energjisë, Kusari – Lila nënvizojë që Kosova ka dështuar për të arritur caqet e parapara nga Komuniteti i Energjisë dhe se arritjet e deri tanishme kanë qenë të percjellura me dëme mjedisore.

‘Ne në objektivat që i kemi pasë për burimet e ripërtërishme, të cilat janë diskutuar dhe të trajtuar edhe me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vienë, kemi paraparë shumë më shumë se sa që kemi arritur’, tha Kusari – Lila.

‘Do të thotë, janë paraparë diku afër 250 megavat të energjisë, e në veçanti me burimet ujore. Nuk kemi arritur të mbërrijmë as objektivat me 105 megavat me shumë dëme mjedisore’, tha Kusari – Lila.

Objektivat për burime të ripërtëritshme duhen shqyrtuar sërish

Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, përmendi edhe projektin e ndërtimit të hidrocentralit në Shqipëri për nevoja të konsumit në Kosovë.

‘E para që duhet bërë është rishqyrtimi i objektivave për burime të ripërtërishme, vlerësimi i kapacitetit të energjisë me erë dhe energjisë solare’, tha Kusari – Lila.

‘Natyrisht, cilat janë mundësitë tjera të diversifikimit, dhe gjithashtu disktuimi për ndërtimin e hidrocentralit me Shqipërinë me kapacitetet ujore të Shqipërisë’, sqaroi kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lula.

Kusari – Lila: Kosova e Re jo me thëngjill, do të vazhdojë menaxhimi dhe ‘pastrimi’ i Kosova B

Ndryshe, kur është pyetur rreth rezervave të thëngjillit dhe projektit për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, Kusari – Lila shprehu që ajo personalisht dhe partia e saj, tani pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, janë kundër një termocentrali të ri me thëngjill.

‘Unë personalisht mendoj, si Alternativë e kam prezantuar, nuk jam për zhvillim të mëtutjeshëm të kapaciteteve energjetike me thëngjill’, deklaroi Kusari – Lila

Mirëpo, ajo theksoj që përdorimi i thëngjilli duhet të vazhdojë për kapacitetet ekzistuese, pasi këto burime aktualisht përbëjnë bazën energjetike të vendit, duke përmendur edhe rëndësinë që ka për projektin e kogjenerimit.

‘Mendoj që thëngjilli do të mbetet pjesë e të kaluarës. Ndonëse Kosova është e pasur me linjit, duhet të gjejmë forma tjera dhe natyrisht duhet të menaxhojmë kapacitetet aktuale do të thotë po flasim për fatin e termocentralit Kosova A dhe menaxhimin e mëtutjeshëm dhe pastrimin e termocentralit Kosova B, që duhet të vazhdojnë sepse ne e kemi bazën me thëngjill me kapacitet aktuale’, sqaroi Kusari – Lila.

‘Linjiti aty ku ka qenë nëntokë, deri në një periudhë të caktuar kohore. Mund të shfrytëzohet për kapacitet ekzistuese por jo për kapacitete të reja. Kosova B duhet të vazhdojë të përdor linjitin, është edhe projekti i kogjenerimit i cili ndikon, në veçanti në ruajtjen e energjisë elektrike për ngrohje.

Ndryshe, kryesuesja e Grupit të Deputetëve të Gjelbër foli edhe për shfytëzim më të mirë dhe rehabilitim të hapësirave të mihjeve.

‘Kosova e Re jo me thëngjill’, tha me plot bindje Kusari – Lila. ‘Kemi mundësi të fillimit të zëvendësimit me projekte alternative në energji të ripëtërishme, edhe në hapësirat ku sot aktualisht janë minierat duhet domosdoshmërisht rehabilitimi i hapësirave dhe menaxhimi më i mirë i hirit’, tha Kusari – Lila.

Projekti i Gjakovës për ngrohje me biomasë duhet të replikohet në komuna tjera

Kusari – Lila poashtu preki edhe rëndësinë e zhvendosjes së fokusit drejt masave të efiçencës, poashtu edhe planet për zgjerim të rrjetit të projektit të kogjenerimit.

‘Projekti i kogjenerimit është projekt i suksesshëm në Prishtinë, vazhdimi i projektit dhe zgjerimi i rrjetit është domosdoshmëri në mënyrë që të ulet shfrytëzimi i energjisë elektrike për ngrohje, ndërsa duhet të gjinden dhe trajtohen forma alternative për amvisëri’, tha Kusari – Lila.

‘Efiçiencën e energjisë si masë deri tash nuk e kemi trajtuar seriozisht si shtet, në të kundertën kemi shkuar me zvogëlim të fondit të efiçensës nga buxheti i shtetit, në fakt vetëm donatorët e kanë mbajtë’, tha Kusari – Lila.

‘Projekti i Gjakovës, për ngrohje me biomasë është një model shumë i mirë, që duhet të replikohet në komuna tjera’, tha Kusari – Lila.

‘Konsideroj që në një periudhë të shkurtër kohore, do të prezantohet plani aktiv, i cili do të tregojë mundësitë e zhvillimit të kapaciteteve të tilla në qytete të tjera të mëdha të Kosovës’, tha Kusari – Lila në fund.