Search

Kurti i përgjigjet negativisht Vuçiqit për këmbimin e energjisë me linjit

09 Qershor, 2022


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur negativisht propozimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këmbim të energjisë elektrike me linjit.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës tash po kërkon qymyr nga Kosova. Por ai duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës duhet t`i pranojë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet edhe nga presidenti despotik Putin përveçse nga Milloveshiqi ministër i së cilit pati qenë atëherë”, ka thënë Kurti të enjten, pas dorëzimit të disa medaljeve të njësisë speciale të EULEX-it.

Të mërkurën, presidenti i Serbisë u shpreh se Kosovës do t’i ofrohet një marrëveshje ku në këmbim të linjitit Kosovës do t’i ofrohet energji elektrike ose edhe pagesa me para.

“Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të linjitit cilësor në këmbim të energjisë elektrike. Nëse nuk doni kështu, atëherë mund të bëhet edhe me para. Nuk kemi asnjë problem, jemi të gatshëm të flasim për këtë”, pati thënë Vuçiq për gazetarët në Ohër, gjatë Samitit për “Ballkanin e Hapur”.

Vuçiq: Do t’i ofrojmë Kosovës energji elektrike në këmbim të linjitit

Lexo më shumë

Kryeministri i Kosovës sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ka thënë se SHBA-ja e tha qartë se pa qenë 6 shtete aty në nivel të barabartë nuk ka themelim.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë shumë qartë që pa qenë 6 shtete aty nuk ka themelim të ashtuquajturit Ballkan të Hapur. Ballkani është i hapur ndaj Bashkimit Evropian, duhet të jetë plotësisht i hapur edhe ndaj NATO-s, nuk është i hapur ndaj NATO-s për shkak të fqinjit tonë verior dhe Republikës Serbe në Bosnjë të cilët po e mbështesin Kremlinin në invazionin dhe agresionin ushtarak gjatë Ukrainës”, tha Kurti.

Ai ka thënë se mbështet një fillim të ri dhe energjik të procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të procesit të Berlinit ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizimit, të luftimit të korrupsionit dhe gjithashtu të ballafaqimit me të kaluarën meqenëse kemi në Serbi një pushtet i cili mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë kurrfarë introspeksioni në raport me kriminelët e luftës të cilët vazhdojnë të jenë atje të lirë dhe të penduar përveç se të pandëshkuar”, tha Kurti.