Search

BE do të përkrahë shtatë projekte të hidrogjenit të gjelbër me 720 milionë euro

02 Maj, 2024


Komisioni Evropian ka ndarë 720 milionë euro subvencione për shtatë projekte të hidrogjenit të gjelbër të përzgjedhura përmes ankandit të parë të iniciativës së European Hydrogen Bank, që ka për qëllim të lehtësojë prodhimin e hidrogjenit nga burime të ripërtëritshme të energjisë në Bashkimin Evropian.

Hidrogjeni i prodhuar nga ofertuesit e kualifikuar do të përdoret në sektorë të ndryshëm sikurse në atë të çelikut, materieve kimike, transport, dhe do të ndihmojë dekarbonizimin industrial në Evropë, kanë thënë nga Komisioni Evropian, raporton Balkan Green Energy News.

Projektet e kualifikuara që janë përzgjedhur nga gjithsej 132 ofertat e dorëzuara, do të prodhojnë hidrogjen nga burime të ripërtëritshme të energjisë në katër vende Evropiane – Portugali, Spanjë, Norvegji dhe Finlandë. Subvencionet do të përdoren nga ata për të mbuluar diferencën ndërmjet cmimit të prodhimit dhe cmimit të tregut të hidrogjenit të gjelbër, që për momentin ndikohet nga prodhimi i hidrogjenit nga burime jo-të-ripërtëritshme.

Projektet që kanë përfituar nga subvencionet do të prodhojnë rreth 1.58 milionë ton hidrogjen të gjelbër në dhjetë vite, duke shmangur kështu rreth 10 milionë ton të emetimeve të dioksidit të karbonit, thuhet në komunikatën e publikuar nga Komisioni Evropian, përcjell Kosovo.Energy.

Ofertuesit kanë ofruar cmim ndërmjet 0.37 – 0.48 euro për kilogram të hidrogjenit të gjelbër të prodhuar, ndërsa subvencionet dallojnë nga 8 milionë në 245 milionë euro për projekt. Subvencionet do të mbulohen nga të ardhurat nga sistemi evropian për tregti të emetimeve (EU ETS).

Projektet e shpërblyera do të nënshkruajnë marrëveshjet deri në nëntor 2024, ndërsa prodhimi duhet të fillojë brenda pesë viteve.