Search

Kryeministri Kurti: Projektet e MCC ulin koston e importit të rrymës dhe përshpejtojnë energjitë e ripërtëritshme

01 Gusht, 2022


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë mbajtur konferencë të përbashkët për medie në ambienetet e Ministrisë së Ekonimisë.

Konferenca për medie është thirrë pasi që Qeveria e Republikës së Kosovës përkatësisht Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar marrëveshjen në fushën e energjisë me Korportatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt në vlerë prej 236.7 milion euro.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria ka filluar punën për transformimin e sektorit energjetik në Kosovë duke pasur për bazë pavarësinë energjetike, qëndrueshmërinë e sektorit dhe ruajtjen e mjedisit.

Ai tha se granti nga MCC është granti më i madh i njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës, dhe se investimet e programit do të jenë pronë e Kosovës.

“Këto tri projekte do të ulin nevojën për blerje të shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë, dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtritshme në rrjet”, ka thënë kryeministri Kurti.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit që keni ardhur sot në këtë konferencë për medie, dhe që po e mirëprisni këtë lajm të mrekullueshëm për vendin tonë.

Deri më tani, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë përjetuar kriza energjetike të vazhdueshme. Me nënshkruarjen e Marrëveshjes së Programit Kompakt për sektorin e energjisë, Qeveria jo vetëm që i ka thelluar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor perëndimor, por konkretisht ka filluar punën për transformimin e sektorit energjetik duke pasur për bazë pavarësinë energjetike, qëndrueshmërinë e sektorit dhe ruajtjen e ambientin.

Në Ëashington DC nënshkruam marrëveshjen me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programin me 34,7 milionë dollarë si bashkëfinancim, duke çuar kësisoj vlerën totale të programit në 236,7 milionë dollarë.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijnë tri projekte:

E para është rezerva dhe arbitrazh të energjisë, apo bateritë me kapacitet 340 MW;

E dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

E treta është Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Këto tri projekte do të ulin nevojën për blerje të shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë, dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtritshme në rrjet.

Paralelisht zhvillohen kuadro profesionale në fushën e energjisë si dhe nxiten investime në sektorin privat.

Andaj është bërë një hap i madh në sektorin e energjisë por gjithashtu edhe në atë të ekonomisë, andaj tash po ia kaloj fjalën nikoqires, Ministres së Ekonomisë, zonjës Artane Rizvanolli, njëherazi edhe nënshkruese e këtij programi Kompakt me Kryeshefen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, zonjës Alice Albright.