Search

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja Rizvanolli kanë kthyer vëmendjen nga liberalizimi i tregut drejt suksesist të bursës ALPEX

June 04, 2025


Kryeministri Albin Kurti si dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kanë cekur përfitimet në vitet e fundit në tregun kombtar të energjisë si pasoj e funksionalizimit të bursës shqiptare të energjisë, ALPEX.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ALPEX është mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve energjetike shfrytëzohet më së miri.

“ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024. Ai është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme. Dje dhe sot, përmes ALPEX-it, KEK ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur me çmime konkurruese dhe transparente”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shkruar se: “ALPEX është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike të Kosovës në tregun evropian që parashihet të realizohet në vitin 2030”.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur sërish për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë.

Ajo ka ndarë disa të dhëna rreth funksionalizimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX, duke e cilësuar si një arritje historike për Kosovën dhe rajonin.

Në një postim Rizvanolli tha se “këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut.”

Sipas saj, çmimi mesatar i energjisë së blerë për dje ishte 64.55 euro për MWh, ndërsa për sot është kontraktuar me çmim 86.75 euro për MWh – të dyja çmime konkurruese.

Ajo e quajti ALPEX-in si “vetë antidoti i ‘mafisë energjetike’ që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Ballkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti.”

Duke folur për zhvillimet në sektorin e furnizimit, Rizvanolli theksoi përparimin që është bërë në krahasim me vitin 2016, kur kishte vetëm një furnizues.

“Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRrE, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta.”

Ajo shtoi se aktualisht janë 1300 konsumatorë në treg të lirë, një numër që pritet të rrisë konkurrencën.
“Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju sigurojmë që në këtë rrugëtim do të jemi të sinqertë, të përkushtuar e së bashku për interesin publik: për të mirën e konsumatorit, sektorit e vendit.”, u shpreh ministrja.

Ndaj këtyre komenteve ka reaguar njohësi i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas një postimi të Artane Rizvanollit, duke thënë se ministrat s’kanë nevojë të mbajnë ligjërata, por të mbrojnë bizneset.

“Patriotizëm nuk është me i rritë faturat, po është me e mbrojt prodhuesit dhe ekonominë tonë. Prodhuesit e bizneset tona nuk funksionojnë e punojnë me flamur kuq e zi, e as me postime të ministrave, por me energji. Kështu që, rryma e shtrenjtë nuk mbulohet me fjalime patriotike. Mundemi sa të kemi dëshirë me përdorë flamurin Kuq e Zi në fjalime edhe në Kuvend, por kjo nuk ka asnjë ndikim në koston e energjisë. Rryma që e prodhojmë dhe shesim me 30€, po ju ofrohet deri në 260€ bizneseve tona”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu bëri bëri thirrje që të sigurohet energji e lirë që ekonomia të përfitojë, “e mos folni asnjë fjalë më shumë se fjalët nuk kryejnë asnjë punë, i merr era në fund”.
/Telegrafi