Search

KOSTT ndërpret pagesën e rrymës në veri, fillimi i pagesës në veri çështje javësh thotë deputetja

23 Nëntor, 2021


Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, ka thënë se gjatë këtij muaji KOSTT ka ndërprerë ndarjen e mjeteve për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për shkak se ka përfunduar marrëveshja në mes të KOSTT dhe Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës.

Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim, ndonëse deputetë të pozitës në komision konfirmuan se fillimi i pagesës së rrymës nga banorët e komunave serbe në veri është çështje javësh.

Kështu ka deklaruar deputetja Mimoza Kusari-Lila nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, ndër të tjera ka thënë se që nga 2017-ta për pagesën e rrymës në katër komunat veriore shuma totale është 27 milionë e 806 mijë euro ku 10 milionë euro kanë nga Qeveria e Kosovës ndërsa mbi 17 milionë janë paguar nga KOSST-i.

Gjithashtu Mehmeti ka treguar edhe për gjendjen financiare të KOSTT-it, ku sipas tij, nëse nuk i kthehen mjetet financiare atëherë në 2024 do të ketë vështirësi financiare në operim.