Search

PIPS: Rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike me më së shumti ngecje

28 Prill, 2024


Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka publikuar rezultatet e Raportit monitorues “Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031” për periudhën 2023.

Diella Muqolli, koordinatore e projektit, ka thënë se kjo strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër e efiçiencë të energjisë, raporton Ekonomia Online.

“Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 8 mars 2023. Kjo Strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër, efiçiencë të energjisë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Masat e monitoruara janë masat e dala nga Strategjia e Energjisë e Kosovës për periudhën 2022 dhe 2023”, ka thënë Muqolli.

Muqolli ka thënë se janë disa masa të cilat nuk ka mundur t’ i plotësojë Qeveria në afatin kohor të caktuar nga vetë ajo. Ajo ka theksuar se kjo strategji ka të ndara tri kategori ku kategoria e rritjes së fleksibilitetit të sistemit është kategoria me masat më të plotësuara ndërsa kategoria tretë, rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike ka më së shumti ngecje sa i përket plotësimit të masave.

Te rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike, parashihen 28 veprime të dala prej 9 masave. 64,3% janë plotësuar në tërësi, 28,6% janë pjesërisht të plotësuara, dhe 7,1% mbesin të paplotësuara, ka thënë Muqolli.