Search

Hungaria ndanë 158 milionë euro për 440 megavat kapacitete të ruajtjes së energjisë elektrike

29 Prill, 2024


Qeveria hungareze ka ndarë 158 milionë euro për projekte të ruajtjes së energjisë me kapacitet prej 440 megavatësh.

Shpallja për projekte ishte publikuar më 15 janar ndërsa ofertat nga të interesuarit ishin pranuar deri më 5 shkurt.

Fituesit janë shpallur pak javë më parë dhe ata pritet që së shpejti të vendosin rreth pesëdhjetë projekte të ruajtjes së energjisë elektrike, ka thënë ministri i energjisë në këtë vend, raporton Balkan Green Energy News.

Projektet përfituese duhet të përfundojnë ndërtimin në prill 2026.

Ata kanë thënë se sipas planeve aktuale të Hungarisë për rritjen e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë, Hungaria do të përkrahë amvisëritë dhe bizneset për prodhimin dhe ruajtjen e energjisë së gjelbër me rreth 510 milionë euro.

Fondet janë siguruar nga plani kombëtar për rimëkëmbje dhe buxheti shtetëror.

Me fondet që kishte përfituar nga një program tjetër më herët, operatori i sistemit të transmetimit në Hungari tashmë është duke ndërtuar një system të ruajtjes së energjisë me kapacitet prej 20 megavatësh në Szolnok në Hungarinë qendrore, ka thënë Ministria, përcjell Kosovo.Energy.

Në gusht të vitit 2023, CATL ka thënë se do të investojë rreth 7.34 miliardë euro për ndërtimin e një impianti të baterive në Debrecen në Hungari, me kapacitet vjetor prej 100 gigivat orësh. Kjo do të ishte fabrika e dytë më e madhe kineze në Evropë. CATL është prodhuesi më i madh në botë i baterive për makina elektrike dhe sisteme të ruajtjes së energjisë.

Një muaj më vonë, Andrada Group nga Sllovenia kishte shpërfaqur planet për ndërtimin e një impianti për riciklimin e baterive në Alsozsolca në verilindje të Hungarisë.

Ministria ka thënë se në planin e azhurnuar kombëtar për energji dhe klimë, Hungaria do të ketë 1 gigavt kapacitete të ruajtjes së energjisë deri më 2030.