Search

“Korridori Jugor i Hidrogjenit” – Gjermania, Austria dhe Italia nënshkruajnë marrëveshjen

06 Qershor, 2024


Gjermania, Austria dhe Italia nënshkruan një memorandum të përbashkët mirëkuptimi për të zhvilluar një korridor modern të importit të hidrogjenit që lidh të tre vendet. “Korridori Jugor i Hidrogjenit”, tashmë është përzgjedhur në nivel evropian si një projekt me interes të përbashkët.

Sipas komisioneres evropiane të Energjisë, Kadri Simson, kjo nismë ka potencialin të bëhet një projekt kyç për të transportuar hidrogjenin e rinovueshëm shumë të nevojshëm në qendrat industriale të BE-së dhe për të mbështetur dekarbonizimin e tyre. Simon shtoi se, nisma do të forcojë gjithashtu ndërlidhjen midis shteteve anëtare të BE me partnerët në Afrikën e Veriut.

Partneriteti trepalësh synon të përmirësojë sigurinë energjetike për grupet kryesore industriale të vendeve, duke mbështetur objektivat klimatike të Bashkimit Evropian. “Korridori Jugor i Hidrogjenit do të jetë vendimtar për nisjen e një tregu evropian, prandaj Gjermania, Italia dhe Austria krijuan një grup të përbashkët pune vitin e kaluar dhe tashmë nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit.

Sipas ekspertëve, Korridori Jugor do të luajë një rol të rëndësishëm, veçanërisht për furnizimin me hidrogjen të gjelbër të BE dhe zhvillimi i një tregu funksional është një garanci për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe mbi të gjitha për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në mjaft sektorë.

Synimi i Brukselit është që Evropa të prodhojë 10 milionë ton hidrogjen të rinovueshëm deri në vitin 2030 dhe të importojë 10 milionë ton të tjerë si pjesë e reduktimit të emetimeve të gazeve serrë. Nga të dhënat e Komisionit Evropian, në vitin 2022 prodhimi i hidrogjenit të rinovueshëm në Evropë ishte vetëm 20,000 ton.

Pas marrëveshjes së mirëkuptimit, pritet të nisë koordinimi mes tre vendeve. Duhet të ndërtohet një infrastrukturë ndërkufitare funksionale e tubacioneve të hidrogjenit, që të bëhet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti plotësisht të ndërlidhur evropian.

/SCAN