Search

Komuniteti i Energjisë thellon bashkëpunimin me Kosovën për hidrocentrale

24 Mars, 2021


Në ditën botërore të ujit, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka njoftuar se i është përgjigjur kërkesave të disa vendeve në Ballkanin Perëndimor për të përmirësuar menaxhimin ndërkufitar dhe vlerësimet mjedsiore të projekteve të hidrocentraleve.

Pas thirrjeve të kuvendeve të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, Sekretariati ka bërë propozime konkrete për deputetët dhe ka ofruar ekspertizë dhe resurse.

‘Sekretariati është kontaktuar nga parlamentet në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dh Maqedoni të Veriut në lidhje me nënshkrimin e një marrëveshjeje të mirëkuptimit për bashkëpunim në sektorët e energjisë dhe të mjedisit, për të përmbushur përkushtimet ndërkombëtare dhe për t’u përafruar me politikat e BE-së’, thuhet në dokumentet e publikuara nga Sekretariati.

Aktivitetet kanë për qëllim të zvogëlojnë ndikimet ndërkufitare të projekteve të hidrocentraleve, të përcaktojë standardet minimale të mbrojtjes së natyrës nga zhvillimi i hidrocentraleve si dhe të rishikojë skemat e përkrahjes.

‘Siç është cekur edhe nga Parlamentet, bashkëpunimi me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë është nxitur nga sfidat e këtyre vendeve për zhvillim të hidroenergjisë, e në veçanti të projekteve me ndikim ndërkufitar’, thuhet në dokumente.

Sekretariati beson se bashkëpunimi me deputetët e palëve kontraktuese do të ndihmojë arritjen e objektivave mjedisore dhe të klimës të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.