Search

Kompania më e madhe e derivateve të naftës në botë synon prodhimin e hidrogjenit me Kinën

24 Mars, 2021


Ndërsa hidrogjeni po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar si burim i energjisë, Saudi Aramco, kompania më e madhe e derivateve të naftës ka filluar të hulumtojë mbi mënyrat e prodhimit të hidrogjenit bashkë me Kinën.

Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë, Amin Nasser, ka konfirmuar se kompania e tij ka filluar të bashkëpunojë me kompanitë kineze për të zhvilluar hidrogjenin e kaltër dhe teknologjitë e amoniakut.

Kompanitë tjera simotra sikurse Royal Dutch Shell (RDSA), Equinor nga Norvegjia (ENQR), BP dhe Exxon Mobil (XOM), gjithashtu kanë shpallur projekte të zhvillimit të hidrogjenit.

Kompania Saudi Aramco ka shtyrë zhvillimin e teknologjive të hidrogjenit muajve të fundit pasi pothuajse të gjitha kompanitë e derivateve të naftës janë bindur se në të ardhmën bota do të përdorë më pak karburante fosile dhe më shumë burime të ripërtëritshme.

‘Besoj se hidrogjeni ka potencial të jashtzakonshëm të zhvillimit në industritë e veturave dhe të prodhimit të rrymës’, ka thënë Amin Nasser nga Saudi Aramco.

Pak kohë më parë, kompania e tij ka dorëzuar 40 ton të amoniakut të kaltër në Japoni. Ky lloj përbërësi përdoret për të magacinuar dhe transportuar hidrogjenin.

Hidrogjeni i kaltër dhe amoniaku vijnë nga gazi natyror, emetimet e karbonit të të cilit kapen dhe ruhen nën tokë.

Mbështetja e prodhimit të hidrogjenit të kaltër në karburante fosile e bën këtë produkt më pak miqësor ndaj mjedisit krahasuar me hidrogjenin e gjelbër, që prodhohet nga burimet e energjisë së ripërtëritshme, sikurse ato të ujit.