Search

Kjo është marrëveshja që do të nënshkruhet nesër në Uashington

26 Korrik, 2022


Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të MCC-së pritet të nënshkruajnë nesër në Uashington marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që përqendrohet në projekte të energjisë.

Nënshkrimi do të bëhet në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, ku nga Kosova do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raporton Kosovo.Energy.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kontrata e Kosovës me MCC parasheh implementimin e tri projekteve, të cilat janë të precizuara në saktësi në marrëveshjen që Kosova pritet të nënshkruajë me SHBA-të, të publikuar në uebfaqen e MCC.

Sipas marrëveshjes, Kosova do të krijojë një fondacion të ri jo-qeveritar për të zbatuar programin

Në marrëveshje thuhet se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi në mbikqyrjen dhe menaxhimin e zbatimit të këtij programi.

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Qeveria do të themelojë një fondacion të pavarur në pajtim me kornizën ligjore, që ka për detyrë të mbikqyrë, menaxhojë dhe zbatojë programin, duke përfshirë edhe menaxhimin e zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve, ndarjen e fondeve si dhe menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit, raporton Kosovo.Energy.

“Kohë pas kohe, MCC mund të ofrojë këshillime dhe udhëzime për Qeverinë në të shkruar në çështje që ndërlidhen me programin Kompakt, financimin nga MCC ose edhe me zbatimin e programit. Qeveria do të shfrytëzojë këto këshilla në zbatimin e programit”, thuhet në draft marrëveshjen, e siguruar nga Kosovo.Energy.

Ky fondacion do të udhëhiqet nga Bordi i Drejtorëve dhe Njësia Operative. Bordi i drejtorëve do të përbëhet nga një përfaqësues nga zyrja e presidentes, një nga zyra e kryeministrit, si dhe përfaqësues tëMinistrisë së Financave, Ekonomisë, Mjedisit dhe Arsimit.

Përveç këtyre përfaqësuesëve, në bord marrin pjesë edhe një përfaqësues i sektorit privat, si dhe dy përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile.

Programi do të ndihmojë Kosovën në dekarbonizim, përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës

Programi Kompakt konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Në draft marrëveshjen e publikuar në uebfaqen e MCC thuhet se programi është na pajtim me planin kombëtar të Kosovës për energji të ripërtëritshme të vitit 2013, që ka për qëllim të rrisë kontributin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik në 25 për qind, raporton Kosovo.Energy.

“Vendosja e projektit të ruajtjes së energjisë elektrike dhe zhvillimi i fuqisë punëtore më të fuqishme, me më shumë shkathtësi dhe më diverse në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe magacinimit të energjisë do të ndihmojë Kosovën të arrijë të zvogëlojë emetimet e karbonit si dhe në përkushtimin e saj për ekonomi me zero emetime”, thuhet në marrëveshje.

MCC-ja mëton që përmes këtij programi të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, derisa furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik po sfidon atë.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Në marrëveshje thuhet se nga program do të përfitojnë përafërsisht 1,8 milion njerëz.

Kjo për shkak të pritjeve se nga projekti i magacinimit të energjisë do të përfitojnë të gjithë konsumatorët e kyçur në rrjet në Kosovë, dhe pothuajse të gjithë banorët janë të kyçur në këtë rrjet. Kjo përfshinë edhe përafërsisht 65 mijë përfitues të etiketuar si “të varfër” si dhe 379 mijë përfitues të etiketuar si “gati të varfër”, thuhet në marrëveshje.