Search

Këtë verë Kroacia do të fillojë ndërtimin e termocentralit të dytë gjeotermik

12 Prill, 2021


Këtë verë ndërmarrja Geo Power Zagocha do të fillojë ndërtimin e termocentralit të dytë në Kroaci me kapacitet prej 20 megavatësh. Termocentrali në vlerë prej 71 milion eurosh do të jetë i vendosur në Cadavica të Kroacisë.

Në vitin 2018, Geo Power Zagocha ka pranuar lejën për të bërë hulumtime gjeotermike për prodhim të energjisë elektrike në rajonin Slatina 2 përmes tenderit të shpallur nga Agjencia për Hidrokarbure e Kroacisë. Pas hulumtimeve, vitin e kaluar kjo ndërmarrje ka dorëzuar aplikimin për leje për të ndërtuar njësinë gjeotermike.

‘Pas përfundimit të termocnetralit gjeotermik në Velika Ciglena afër Bjelovarit, ne kemi filluar të konsiderojmë ndërtimin e një termocentrali të ri dhe jemi përcaktuar për lokacionin e projektit që ka potenciale më të mira gjeotermike se projekti i vendosur në Velika Ciglena’, ka thënë Dragan Jurilj, pronar në ndërmarrjen Geo Power Zagocha.

Ai ka shtuar se vlera e përgjithshme e investimit për të zbatuar projektin që do të fillojë këtë verë është 71 milion euro.

Termocentrali gjeotermik Velika 1 në Velika Ciglena me kapacitet të instaluar prej 16.5 megavatësh, ka filluar operimin në nëntor të vitit 2019.

Ndryshe, përfundimi i suksesshëm i termocentralit të parë gjeotermik ka ndikuar që në tetor të vitit të kaluar edhe katër leje tjera të lëshohen për hulumtime gjeotermike në Kroaci.