Search

KEK nis reforma për menaxhimin dhe mbrojtjen e pronave

July 09, 2026


Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar se ka filluar një proces të gjerë reformash me fokus të veçantë në identifikimin, trajtimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronës së Korporatës.

Një nga hapat e parë të këtij procesi, unifikimi i evidencave të pronave të saj, është realizuar me sukses.

Në kuadër të këtij procesi, përveç komunave të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku KEK zhvillon aktivitetet e saj operative, janë identifikuar prona të Korporatës edhe në komuna të tjera të Kosovës, përfshirë Podujevën dhe Brezovicën.

Për këtë qëllim, KEK ka intensifikuar bashkëpunimin institucional dhe është duke zhvilluar takime me drejtuesit e komunave përkatëse dhe institucionet kompetente, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të rasteve të uzurpimit, mbrojtjes së pronës publike dhe rikthimit të pronave në administrim të rregullt institucional.

KEK inkurajon të gjithë qytetarët dhe subjektet që eventualisht shfrytëzojnë prona të saj pa bazë ligjore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për lirimin vullnetar të tyre sa më parë.

Në njoftimin e KEK është cekur se ky proces zhvillohet paralelisht me programin më të madh investiv në historinë e KEK-ut, i cili përfshin modernizimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadave dhe zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke dëshmuar përkushtimin e KEK për reformim të gjithanshëm, mbrojtje të aseteve publike dhe menaxhim të përgjegjshëm institucional.