Search

KEDS zë 259 konsumatorë duke e vjedhë rrymën gjatë një muaji

22 Shkurt, 2024


Vetëm përgjatë muajit janar 2024, KEDS ka zënë në flagrancë duke e vjedhë energjinë elektrike 259 konsumatorë.

Afër 130 mijë euro është shuma që këta konsumatorë janë të obliguar t’ia rikthejnë kompanisë si humbje të shkaktuara në rrjet. Ndërkaq, vlera totale e kilovatëve që këta konsumatorë e kanë vjedhur gjatë muajit janar është afër një milion e gjysmë.

Dëmi i shkaktuar ndaj KEDS-it nga këta konsumatorë të pandërgjegjshëm është i madh, njëjtë siç është e madhe edhe përgjegjësia financiare dhe ligjore që këta e kanë ndaj kompanisë dhe institucioneve të Drejtësisë.

Konsumatorët që kapen duke e vjedhur energjinë elektrike, pos obligimit që ti rikthejë humbjet, dërgohen nga KEDS edhe në gjykatat kompetente. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike hyn në kuadër të “Vjedhjes së Shërbimeve”, çka sipas nenit 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme deri në tri vjet burg.

Në vitin 2023, KEDS ka dorëzuar mbi 2,300 raste në gjykatat e Kosovës, ndërkaq mbi 6,700 konsumatorë janë zënë duke e keqpërdorur energjinë elektrike.

KEDS mbetet i pakompromis ndaj të gjithë konsumatorëve që e keqpërdorin energjinë elektrike, dhe së fundi ka intensifikuar kontrollet ditore anembanë Kosovës. Mos e vidhni energjinë elektirke, sepse rryma ju kushton më lirë!