Search

IEA: Prodhimi i energjisë së rinovueshme do rritet me 75% në pesë vite

07 Dhjetor, 2022


Kapaciteti global për prodhimin e energjisë së rinovueshme do të rritet me rreth 75% në pesë vitet e ardhshme, tha të martën Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), duke përmendur shqetësimet e sigurisë së energjisë si një arsye kryesore.

Shqetësimet për sigurinë energjetike të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia kanë motivuar vendet që t’u drejtohen burimeve të rinovueshme si dielli dhe era për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile të importuara.

Çfarë thuhet në raportin e IEA?

Sipas parashikimit, burimet e rinovueshme do të përbëjnë mbi 90% të prodhimit global të energjisë elektrike gjatë pesë viteve të ardhshme, duke kapërcyer qymyrin për t’u bërë burimi më i madh i energjisë elektrike globale në fillim të 2025.

Agjenica Ndërkombëtare e Energjisë pret që kapaciteti në mbarë botën të rritet me rreth 2,400 gigavat – ekuivalenti i të gjithë kapacitetit aktual të energjisë elektrike të Kinës – në 5,640.

Kjo rritje është 30% më e lartë se rritja e parashikuar një vit më parë, pasi çmimet më të larta të karburantit dhe energjisë elektrike i bëjnë burimet e rinovueshme gjithnjë e më tërheqëse për investitorët dhe konsumatorët.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India po miratojnë gjithashtu politika dhe reforma tregu për të nxjerrë energjitë e rinovueshme më shpejt se sa ishte planifikuar më parë, thuhet në raport.

IEA tha se vetëm Kina mund të përbëjë pothuajse gjysmën e shtimit të kapaciteteve të reja globale të energjisë së rinovueshme në pesë vitet e ardhshme.

/Deutsche Welle