Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore premton ulje të çmimit të energjisë elektrike
January 31, 2025

Kandidati për kryeministër nga koalicioni për “Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj në tubimin elektoral në Istog u zotua për rritje të pagave, anëtarësimin në NATO dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Haradinaj u bëri thirrje që mos ta votojnë istogasit qeverinë aktuale, pasi siç tha ai “do të mbeten të izoluar së paku 30 vjet”. Ai po ashtu theksoi se kur kishin folur si AAK për dyfishimin e pagave në fillim janë ‘trembur’ të gjithë.
“Cili është qëllimi i qeverisë që po shkon ose i këtij mashtruesi? Pse ai po e kërkon votën e juaj? A iu ka treguar pash Zotin? I ka bërë pesë vjet, pesë buxhete. A ka ardhur në Istog të iu tregojë se cilat punë i ka kryer për ju? Kur kemi folur ne për dyfishim të pagave në fillim janë trembur krejt. Tani e kemi parë që na kanë zënë gati, ia kanë nisur me 50 me 70 për qind. Edhe pak kanë me thënë 100 për qind që i bie dyfishim…Po i bëjnë nga 2 deri në 3 kilometra (rrugë) në katër vjet. Në këtë kohë, nëse i jepni votën atij, Istogu mbetet në qosh, i izoluar së paku 30 vjet…Unë kur kam qenë në luftë thosha ‘Ta kisha pasur një armë që gjuan më larg’. Se me Serbinë ata gjuajshin më larg. Me hy në NATO Kosova i ka edhe armët nukelare, bombat atomike, e ka aviacionin më të mirë në botë. I ka ekonomitë më të forta se është pjesë e tyre dhe demokracitë e tyre. Nëse hyjmë në NATO, kuptohet që Serbia a mundet pa të njohur më, ku ka të shkojë, s’ka ku e shtynë më shumë”, tha ai.
Kryetari i AAK Haradinaj potencoi po ashtu se nëse ai do ta qeverisë vendin, në vitin e tretë të mandatit do ta ulë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
“Dy herë na ka rritur çmimin (e energjisë). Në të tretin vit, nëse e udhëheqë qeverinë e uli çmimin e energjisë në të tretin vit. Mund ta uli më shpejtë por pak, veç me ua ulë këto tregtitë që po i bëjnë me dostat e tyre. Në të tretin vit iu siguroj që do ta ulë çmimin e energjisë që prodhojmë në Kosovë”, u zotua Haradinaj.
Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, konkurrojnë 28 subjekte politike.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt 2025.
/Telegrafi