Search

Guterres: Po të investonim masivisht në BRE-të në të kaluarën, nuk do të kishim këtë situatë

15 Qershor, 2022


Vendet e pasura po mbajnë një qëndrim të rrezikshëm duke nxituar për të siguruar lëndë djegëse fosile, për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se investimet e reja që po bëhen në qymyr, naftë dhe gaz janë një “iluzion” duke pasur parasysh ndikimin e tyre në ndryshimet klimatike.

Ai shtoi se kriza energjetike e përkeqësuar nga lufta në Ukrainë ka dyfishuar përdorimin e karburanteve fosile nga ekonomitë kryesore.

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në muajin shkurt, disa vende janë kthyer drejt blerjes së më shumë lëndëve djegëse fosile jo-ruse ose investimit në fusha të reja nafte dhe gazi për të mbështetur furnizimet e tyre me energji.

Për shembull, Gjermania dhe Holanda njoftuan këtë muaj planet për të zhvilluar një fushë të re gazi në Detin e Veriut dhe kancelari Olaf Scholz gjithashtu tha se Gjermania dëshiron të realizojë projekte gazi me Senegalin.

“North Field East” i KatarEnergy në pronësi shtetërore po zgjerohet si pjesë e projektit më të madh në botë të gazit natyror të lëngshëm dhe Britania e Madhe po financon një projekt LNG në Mozambik.

Guterres tha se “fondet e reja për eksplorimin dhe infrastrukturën e prodhimit të karburanteve fosile janë mashtruese” dhe do të përkeqësojnë problemet globale të ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.

Shkencëtarët thonë se emetimet globale të dioksidit të karbonit duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030 dhe të arrijnë në zero deri në vitin 2050, në mënyrë që të shmangen ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike.

Vendet që bëjnë investime të reja në lëndë djegëse fosile kanë objektiva përkatëse për uljen e emetimeve të CO2 deri në vitin 2030. Gjermania ka thënë se diversifikimi i furnizimeve të saj afatshkurtër me gaz nuk do të prishte planet e saj klimatike për të ulur përfundimisht përdorimin e karburanteve fosile dhe për të arritur një objektiv të ri ambicioz për energjinë e rinovueshme të vendosur që nga fillimi i pushtimit rus.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë thirrje për t’i dhënë fund projekteve të reja të naftës, gazit dhe qymyrit në mënyrë që të përmbushen synimet globale të klimës duke theksuar se investimet në energjinë e rinovueshme duhet të trefishohen deri në vitin 2030. Guterres u bëri thirrje aktorëve financiarë të financojnë burimet e rinovueshme.

Guterres tha se po të ishte investuar masivisht në energjinë e rinovueshme në të kaluarën, nuk do të përballeshim me një situatë kaq dramatike nën mëshirën e paqëndrueshmërisë së tregjeve të karburanteve fosile. Ai shtoi se rritja e çmimeve të naftës dhe gazit kanë rritur faturat e energjisë në mbarë botën.

//SCAN