Search

Greqia miraton ligjin e klimës, përcakton edhe datën e largimit të veturave konvencionale

30 Maj, 2022


Parlamenti grek ka miratuar ligjin e parë të klimës. Ligji i miratuar është dukshëm më i ‘butë’ se propozimi fillestar, dhe erdhi pas shumë diskutimesh në publik.

Ligji Kombëtar i Klimës në Greqi përmban caqe për zvogëlimin e emetimeve të karbonit në vitin 2030 dhe 2040, si dhe zotime për të arritur neutralitetin klimatik deri më 2050. Ky plan vlerësohet të jetë ndër më të rëndësishmit në rrugën e Greqisë drejt dekarbonizimit të plotë në vitin 2050.

Ligji parasheh dekomisionimin e të gjitha termocentraleve me linjit deri në vitin 2028, si dhe një fazë të rivlerësimit të operimit të tyre në vitin 2023.

Në verzionin final, ligji kishte pësuar kryesisht ndryshime në afatin e ndalimit të shitjes së veturave konvencionale dhe të përdorimit të karburanteve fosile për ngrohje në ndërtesa.

Konkretisht, ndalimi i përdorimit të naftës për ngrohje në ndërtesat e reja nga viti 2023 është hequr për ndërtesat që mund të lidhen me rrjete të gazit natyror.

Në të njejtën kohë, ligji ndalon shitjen dhe instalimin e sistemeve të reja të naftës për ngrohje nga viti 2025. Në vend të kësaj, ka një detyrim për të përdorur vajin për ngrohje të përzier me të paktën 30% lëndë djegëse alternative duke filluar nga viti 2030.

Me anë të ligjit të ri, Greqia synon që të gjitha veturat e reja të shitura pas vitit 2030 të jenë elektrike, ndërsa nga viti 2024, të gjitha veturat e reja në Greqi duhet të jenë elektrike ose hibride, dhe të kenë jo më shumë se 50 gram emetime të dioksidit të karbonit për kilometër.