Search

Gojani: Kosova A të mbyllet, Kosova B të rindërtohet

29 Tetor, 2020


Në ligjeratën e mbajtur në kuadër të javës për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, të organizuar nga Balkan Green Foundation dhe të përkrahur nga GIZ Kosovo, u diskutua mbi mundësitë e promovimit të energjisë së gjelbër dhe ndikimin e procesit të prodhimit të rrymës në mjedis në Kosovë.

Përfaqësuesja e Balkan Green Foundation në Kosovë, Rinora Gojani, tha se dy termocentralet e vjetra janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë.

Gojani: Dy termocentralet e Kosovës, ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë

‘Dy termocentralet janë ndotësit më të mëdhenj. Një studim tregon mbi 10 termocentralet më ndotëse në Evropë, dhe mund të qëlloni, Kosova është kampione. Kosova A vlerësohet ndotësi më i madh në Evropë, deri sa Kosova B është listuar i treti. Kjo për shkak të datës së komisionimit të termocentraleve. Kosova A është komisionuar më 1970 deri sa Kosova B më 1980, dhe nëse marrim parasysh jetëgjatësinë e lejuar të termocentraleve, që të dyja këto kanë tejkaluar normat e lejuara’, tha Gojani.

Sipas Gojanit, pas nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosovës i duhet të respektojë standardet e përcaktuara të BE-së nëse mëton integrimin në BE.

‘Kosova tejkalon kufizimet për emetim të pluhurit për 400% deri sa edhe emetimet e NoX janë gati dyfish më të larta se kufizimet. Pluhuri dhe NoX janë kontribuesit kryesorë të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respitratore’, tha Gojani.

Sipas Gojanit, kërkesa për energji elektrike në Kosovë në vitet e fundit ka shënuar rritje graduale, deri sa importet e rrymës kanë shënuar rritje të madhe në vitin 2017, për shkak të prishjes së njësive prodhuese në Kosova A.

Gojani: Jo termocentrale të reja nga qymyri, të mbyllet Kosova A, të rindërtohet Kosova B

Deri sa kritikoi hidrocentralet për degradim mjedisor dhe mungesë të lejeve mjedisore, Gojani vlerësoi se edhe dështimi i ndërtimit të termocentralit të ri është storje suksesi për shoqërinë civile në Kosovë, të cilët për tetë vite me radhë kundërshtuan projektin përmes kampanjave dhe informimit.

‘Kompania ContourGlobal u largua pas Bankës Botërore, e cila vlerësoi se qymyri nuk është më opcioni më i lirë për prodhim të rrymës në Kosovë. Kjo ndodhi vetëm pasi u kalkulua edhe kosto e ndikimeve të jashtme pa të cilat cmimi do të dukej shumë më i ulët. Sipas marrëveshjes me ContourGlobal, një megavat do të kushtonte 80 euro, deri sa cmimi që ne paguajmë tani për termocentralet ekzistuese është 26 euro’, tha Gojani.

Gojani tha se të gjitha vendet në Evropë po largohen nga qymyri dhe se Komisioni Evropian është duke imponuar skemë të tregtimit të emetimeve edhe për Ballkanin Perëndimor, sipas të cilave, vendet do të paguajnë për emetimet e ndotjes në mjedis, për shkak se ‘emetimet nuk kanë kufinj dhe të gjithë duhet paguar për emetimet e bëra’.

Sipas Gojanit, Kosova nuk duhet të ndërtojë termocentrale të reja nga qymyri, por ende duhet mbështetur të ardhmën e sektorit të energjetisë në qymyr, përmes rindërtimit të Kosovës B

Gojani: E ardhmja energjetike të bazohet në vetëm në Kosovën B dhe një numër masash tjera

Ajo tha se për të ardhmën e saj energjetike, Kosova duhet të dekomisionojë Kosovën A, të rindërtojë Kosovën B, të implementojë masa të efiçiencës së energjisë, të përfundojë procesin e krijimit të tregut unik energjetik me Shqipërinë dhe të promovojë tarifat për ndotje të shkaktuar.

‘Ne jemi për dekomisionimin e termocentralit Kosova A për shkak se është ndotësi më i madh dhe rindërtimi i tij, për të mundësuar operimin sipas standardeve të BE-së, kërkon investime shumë të mëdha’, tha Gojani, teksa shtoi se rindërtimi i termocentralit tjetër – Kosova B, do të ishte i nevojshëm për të ofruar energjinë bazë për Kosovën.

‘Definitivisht, Kosova duhet të rindërtojë termocentralin Kosova B për shkak se përfaqëson energjinë bazë në Kosovë. Me Kosovën B të rindërtuar ne mund të mbulojmë nevojat bazike për energji elektrike, sipas standardeve të BE-së’, tha Gojani.

Gojani: Investimet në efiçiencë zvogëlojnë kërkesën për 40%

Rindërtimi i termocentralit Kosova B, duhet përcjellur me përfundimin e procesit të liberalizimit të tregut dhe të masave të efiçiencës.

‘Investimet në efiçiencë të energjisë do të mund të zvogëlonin kërkesën për energji për 40%’, tha Gojani.

Në fund, Gojani shtoi se unifikimi i tregut të energjisë në mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë shumë i rëndësishëm, kjo pasiqë Shqipëria ka kapacitete ujore dhe Kosova ka termike, dhe kjo do të mundësonte shkëmbimin e rrymës.