Search

Gjermania duhet të zgjidhë plotësimin e nevojave për energji teksa kërkesa rritet

06 Mars, 2023


Gjermania mund të përballet me mungesë të energjisë elektrike në dy vitet e ardhshme pasi burimet e saj të energjisë bëhen gjithnjë e më të pamjaftueshme dhe kërkesa rritet, raportoi të dielën Welt am Sonntag, duke cituar një studim lokal të McKinsey.

Sipas gjetjeve, deri në vitin 2025 vendit do i mungojnë rreth katër gigavat kapacitet energjie, ndërsa deri në vitin 2030 deficiti do rritet në 30 gigavat, tha kompania.

“Pra, ne po shkojmë drejt një mungese të konsiderueshme: 30 GW korrespondon me kapacitetin e rreth 30 termocentraleve të mëdhenj,” paralajmëroi studimi.

Analistët pohojnë se vendi nuk do jetë në gjendje të mbulojë nevojat e tij për energji me burimet e veta në ngarkesat e pikut dhe deri në vitin 2030 mund të ndodhin deri në 100 ndërprerje të energjisë, me fazën më të gjatë që zgjat rreth 21 orë. Analistët paralajmëruan gjithashtu se Berlini nuk do jetë në gjendje të heqë dorë nga gazi në dhjetë vitet e ardhshme.

“Analiza e skenarit tonë tregon se gazi natyror do duhet të luajë një rol në përzierjen e energjisë elektrike në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme të pakësohet varësia nga importi duke diversifikuar furnizuesit. Pjesë e strategjisë duhet të jetë edhe vënia në dispozicion e më shumë hidrogjenit të gjelbër për prodhimin e energjisë”, thanë analistët, duke shtuar se Gjermania duhet të sigurojë gjithashtu se mund të marrë energji elektrike nga vendet fqinje evropiane, gjë që kërkon risi dhe zgjerim të rrjeteve.

Studimi i McKinsey kundërshton një raport të fundit nga Agjencia Federale e Rrjetit të vendit, e cila tha se furnizimi me energji elektrike do ishte i sigurt për dekadën e ardhshme edhe nëse konsumi i energjisë elektrike rritet ndjeshëm.

Megjithatë, edhe agjencia tha se hapa të ndryshëm ishin të nevojshëm për të siguruar furnizim të mjaftueshëm, duke përfshirë zgjerimin e kapacitetit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe ngritjen e termocentraleve rezervë, të fuqizuara kryesisht nga gazi natyror.

Më herët, Bloomberg raportoi se deri në vitin 2030 Gjermania do të duhet të shpenzojë të paktën 1 trilion dollarë për të rritur prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Rregullatori gjerman i rrjetit dhe grupi i ekspertëve Agora Energiewende vlerëson se Gjermania do të përballet me një të tretën e rritjes së kërkesës deri në vitin 2030, që do të thotë se termocentralet e vendit do të duhet të prodhojnë rreth 250 gigavat energji elektrike shtesë deri në atë kohë.