Gazifikimi i thëngjillit apo Gazi Amerikan: Si krahasohen këto opsione me njëra-tjetrën?
June 30, 2026
Kosova duket se është para dy zgjidhjeve për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë: të nisë gazifikimin e thëngjillit, apo të përfshihet në nismat rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG).
Me gjithë apelin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për opsionin e gazifikimit, Uashingtoni thotë qartazi se do që Prishtina të bëhet pjesë e nismave të LNG-së, shkruan Evropa e Lirë.
“SHBA-ja është e gatshme të punojë me industrinë amerikane të energjisë dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhme energjetike për Kosovën përmes diversifikimit të furnizimit me energji, përfshirë LNG-në e SHBA-së”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada amerikane në Prishtinë, duke theksuar se eksportet e energjisë amerikane janë shtylla e bashkëpunimit ekonomik me partnerët evropianë.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërkaq, tha para gazetarëve në Prishtinë se sa i përket gazit amerikan, duhet të ketë diskutime serioze me institucionet dhe ekspertët për përfitimet dhe kostot nga ky projekt.
Përparësia e LNG-së
Për eksperten e energjisë, Laura Kryeziu, përfshirja në rrjetin rajonal të LNG-së “është opsioni më realist dhe më i arritshëm për dekadën e ardhshme”, qoftë në aspektin teknik, financiar, mjedisor dhe strategjik.
LNG është gaz natyror, kryesisht metan, që nxirret nëpër fusha gazi, ftohet në temperatura në rreth -162°C dhe transportohet në formë të lëngshme me anije cisterna. Kur arrin në terminale, ai kthehet në gjendje gazi dhe futet në rrjet.
Kryeziu thotë se mundësi konkrete për Kosovën është interkonjeksioni me Maqedoninë e Veriut, që do ta lidhte vendin me një terminal të LNG-së në Greqi, puna e të cilit nisi dy vjet më parë.
“Bëhet fjalë për rreth 86 kilometra gazsjellës, me një kosto të vlerësuar rreth 100 milionë euro”, sqaron për Radion Evropa e Lirë ish-koordinatorja në projektin e Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për gazifikim dhe diversifikim të energjisë në Kosovë.
Kryeziu thotë se Kosova ka shpenzuar në pesë vjetët e fundit afro 1 miliard euro për import të energjisë, ndërsa vetëm gjatë dy muajve të parë të 2026-tës rreth 60 milionë euro, “pothuajse sa kushton vetë interkonjeksioni me Maqedoninë e Veriut”.
Sipas saj, projekti për gazin nga Maqedonia e Veriut ka pasur mbështetje ndërkombëtare, dhe MCC-ja ka bërë një studim fizibiliteti për të, ndërsa për gazifikimin e linjitit s’ka studim të detajuar e as model të qartë financimi.
“Projekte të tilla kërkojnë investime që mund të arrijnë në qindra miliona apo miliarda euro, teknologji shumë të avancuar dhe një nivel të lartë risku financiar”, thotë Kryeziu.
Çfarë është gazifikimi dhe pse nuk është marrë parasysh deri më tani?
Por, këshilltarja për energji për Evropën Juglindore në rrjetin Bankwatch, Pippa Gallop, vlerëson se të dy opsionet janë shumë “joreale” për Kosovën në terma afatshkurtër, si dhe të shtrenjta dhe të dëmshme në aspektin klimatik.
Më të pafavorshëm, ajo e sheh gazifikimin e qymyrit, i cili bëhet duke përdorur reaktor me nxehtësi të lartë, ku ka presion të madh dhe sasi të kufizuar oksigjeni, në mënyrë të që prodhohet gaz sintetik.
“Përdor sasi të mëdha uji që Kosova nuk i ka, dhe mund të ndotë ujërat nëntokësore. Po ashtu, rezulton me emetime të mëdha të gazrave serrë, që bie ndesh me zotimet e Kosovës sa i përket klimës”, thotë Gallop për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, ajo thekson se përfshirja në rrjetet rajonale të LNG-së “mund të marrë dekada kohë, në një kohë kur Kosova duhet të heqë dorë nga të gjitha lëndët fosile, përfshirë gazin”.
“Nuk shoh asnjë përfitim real krahasuar me energjinë e ripërtërishme, pasi do të rriste varësinë e shtetit ndaj gazit të kushtueshëm që do të importohej”, thotë Gallop.
Duke përmendur objektivat e dekarbonizimit të Bashkimit Evropian – ku Kosova synon të anëtarësohet – si Gallop, ashtu edhe Kryeziu, thonë se ndotja nga gazifikimi dhe LNG-ja nuk përkojnë me synimet e bllokut që të ketë neutralitet klimatik deri më 2050.
Cili duhet të jetë prioriteti i Kosovës?
Sipas Kryeziut, Kosova duhet ta ndërtojë një sistem modern dhe të diversifikuar të energjisë, që nënkupton investime në energji të ripërtërishme, në kapacitete të ruajtjes së energjisë, modernizim të rrjetit, dhe lidhje me rrjetin rajonal të gazit, si zgjidhje tranzitore.
“Gazifikimi i linjitit nuk duhet të jetë prioriteti i vendit në këtë moment”, thotë ajo.
Gallop konsideron se “Kosova nuk duhet të shpërqendrohet nga gazi”.
“Duhet të përqendrohet në bateri dhe energji të ripërtërishme, si dhe në rinovimin e shtëpive për efiçiencë energjetike dhe mbështetjen për pompat e nxehtësisë, që mund të ulin përdorimin e energjisë elektrike nga familjet për ngrohje”, thekson ajo.
Aspekti strategjik
Megjithatë, Gallop dhe Kryeziu shohin një aspekt strategjik në përfshirjen eventuale të Kosovës në nismat e LNG-së, që mbështeten nga SHBA-ja.
Gallop thotë se është e kuptueshme që Kosova synon të mbajë raporte të mira me SHBA-në, por ajo thotë se duhet të gjendet një mënyrë që kjo të arrihet pa një “çmim të lartë”.
Për Kryeziun, gazi amerikan është investim në sigurinë dhe pozicionimin afatgjatë të vendit.
Se Kosova s’e ka luksin të shënojë “autogol” në rrafshin e ekonomisë, sigurisë dhe strategjisë, paralajmëroi javën e kaluar Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri, që vepron në Uashington.
Oda Amerikane insiston se zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, AmCham, përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.
Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.
Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.
“Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.
Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.
AmCham thekson se kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane. Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Sipas OEAK-ut, në anën tjetër, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.
/Telegrafi