Search

Gazi Amerikan: Kosova ende e pavendosur merr thirrje për reagim nga shumë anë, edhe ekspert të huaj

July 07, 2026


Çështja e projektit për gazin amerikan në Kosovë duhet të trajtohet me kujdes, duke u bazuar në interesat strategjike të vendit. Ky është këndvështrimi i profesorëve amerikan Daniel Serwer dhe Edward P. Joseph.

Daniel Serwer në intervistë për KosovaPress, duke e komentuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që ende nuk e ka pranuar projektin, tha se gazi amerikan është i kushtueshëm dhe se e kupton interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të tillë, por theksoi se vendimmarrja duhet të jetë e Kosovës.

“Gazi amerikan është shumë i shtrenjtë. E kuptoj pse amerikanët duan që Kosova ta marrë atë. Do të ndihmonte në plotësimin e pamjes në Ballkan. Dhe kjo administratë, kjo administratë amerikane, është një administratë transaksionale. Ajo dëshiron të bëjë marrëveshje. Kështu që mendoj se Kosova duhet të flasë me amerikanët, por gjithashtu mendoj se Kosova duhet të marrë në konsideratë interesat e veta dhe të marrë një vendim mbi këtë bazë”, tha ai.

Duke u ndalur te kriza institucionale në Kosovë, Serwer vlerësoi se vendi ka humbur kohë të vlefshme për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe proceseve të zgjatura zgjedhore.

“Të gjithë janë të ngopur me krizën. Të gjithë mendojnë se kanë humbur diçka nga ky vit, një vit e gjysmë nga tre palë zgjedhje. Dhe mendoj se kjo është e vërtetë. Mendoj se nuk ka qenë një kohë produktive. Kjo ndodh veçanërisht në sistemet parlamentare. Sinqerisht, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një kohë të vështirë edhe për një vit e gjysmë të fundit. Por është koha, e dini, që institucionet tona të jenë pak më të konsoliduara se institucionet e Kosovës.”, tha ai.

Serwer njëkohësisht dha mesazhin se është koha që institucionet e Kosovës të demonstrojnë se mund të përformojnë duke zgjedhur një president dhe duke formuar një qeveri të re.

Kolegu i tij Edward P. Joseph, ka dhënë një opinion më direkt, duke deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë projektin amerikan të gazit dhe të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e energjisë.

Sipas tij, një projekt i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë energjetike të Kosovës dhe në forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Po. Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë atë dhe duhet të punojë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarët e qeverisë amerikane dhe duhet ta pranojë patjetër këtë. Dhe nuk ka asnjë arsye për të mos e bërë këtë sepse ka të bëjë me sigurinë energjetike për Kosovën. Pra, po, keni qymyr, por qymyri është shumë dëmtues dhe ka shumë faktorë negativë. Për qymyrin nuk është diçka që e çon Kosovën në të ardhmen. Dhe duke sjellë gaz natyror përmes një tubacioni nga Maqedonia e Veriut, ju nuk po ndërtoni varësi, por po ndërtoni një ombrellë më të gjerë të sigurisë energjetike për Kosovën. Dhe unë vërtet nuk e kuptoj pse qeveria e Kosovës nuk e bën këtë dhe kjo do të ishte një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënien me këtë administratë Trump”, tha ai.

Joseph ka thënë gjithashtu se mosbashkëpunimi në këtë projekt mund të sjellë pasoja për qytetarët e Kosovës, duke theksuar ulje të sigurisë energjetike dhe distancim më të madh nga Shtetet e Bashkuara.

“Nuk jam zyrtar qeveritar, kështu që nuk e di se cilat janë pasojat. Por do t’ju them se cilat do të jenë pasojat për çdo qytetar të Kosovës. Mund ta them këtë. Pasojat e çdo qytetari të Kosovës për mosbashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në këtë projekt të LNG-së do të jenë ulja e sigurisë energjetike dhe rritja e distancës nga Shtetet e Bashkuara. Siguri më e ulët energjetike, rritja e distancës nga Shtetet e Bashkuara. Këtë mund ta them”, tha ai.
/KP