Frikë ndaj rritjes së çmimit të energjisë: Kosovarës shpenzojnë 14.9%të pagës për energji elektrike
February 27, 2025

Qytetarët në Kosovë janë duke u shqetësuar për mundësinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike në muajt në vazhdim, pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se disa kompani të rëndësishme të sektorit energjetik, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, kanë dorëzuar kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.
Deputeti i Kantonit të Bernit në Zvicër, Korab Rashiti, ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve duke bërë një krahasim ndërmjet çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë dhe Zvicër, transmeton Telegrafi.
Sipas Rashitit, një familje mesatare në Kosovë shpenzon 14% të pagës për 1000 kWh të energjisë elektrike.
Kurse, në Zvicër një familje mesatare shpenzon vetëm 2.94% të pagës së saj për të njëjtën energji elektrike.
Deputeti Rashiti po ashtu ka shkruar se të ardhurat në Kosovë mesatarisht janë 540€, ndërsa në Zvicër 6800€.
“Menaxhimi dhe strategjia energjetike në Kosovë është një tmerr i pafund dhe ata duan përsëri ta rrisin çmimin e kWh në Kosovë. Mos harro atë që thashë disa javë më parë: tatimi fiskal në të ardhmen në Kosovë do të kalojë përmes çmimit të kWh! Një info: Këtu është një krahasim duke marrë parasysh fuqinë blerëse midis Kosovës dhe Zvicrës, duke pasur parasysh që të ardhurat mediane në Kosovë janë 540€, ndërsa në Zvicër 6800€”, ka theksuar ai në postimin e tij në Facebook.
Ndryshe, ZRRE ka bërë të ditur se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar dokumentet e dorëzuara dhe, pas përfundimit të vlerësimit, do të hartojë një raport për konsultim publik.
Ky raport do të përmbajë analiza dhe rekomandime dhe do të jetë i hapur për komente nga qytetarët dhe palët e interesuara për një periudhë dyjavore.
Pas shqyrtimit të sugjerimeve të marra gjatë konsultimit publik, ZRRE do të përgatisë vlerësimin përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Bordit të ZRRE-së për miratim.
Sa kushton rryma aktualisht?
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët e amvisërisë, komercialë dhe industrialë për 3%.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800kWh në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë/kW, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800kW, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800kW dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Pse ka kërkesa për shtrenjtim të rrymës?
Radio Evropa e Lirë pyeti Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO se përse ka kërkuar shtrenjtim të rrymës dhe për sa, por nuk mori përgjigje.
Megjithatë, në kërkesën e bërë publike nga ZRRE-ja, thuhet se arsyet lidhen me rritjen e konsumit dhe me prodhimin e ulët vendor.
Në këtë dokument thuhet se, vitin e kaluar, Kosova ka importuar 168 GWh energji, me një kosto prej 47.8 milionë eurosh, nga të cilat 35.6 milionë euro janë shpenzuar vetëm në tre muajt e fundit të vitit.
Parashikimet për këtë vit janë që të importohen 318 GWh.
Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.
Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800MWh, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.500MWh.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.
/Telegrafi