Search

Fillon faza testuese për njërin projekt të erës në Bajgorë

02 Shtator, 2021


Ka filluar faza testuese e njërit projekt të prodhimit të rrymës nga në Bajgorë, pas përfundimit të suksesshëm të ndërtimit. Bëhet fjalë për projektin Selaci 1 me kapacitet të instaluar prej 35 megavatësh, projektin e parë në kuadër të tri projekteve që po ndërtohen nga ndërmarrja SOWI Kosovo në Bajgorë.

Në videon e dërguar në redaksinë e Kosovo.Energy duket se krahët e turbinave tani më kanë filluar të rrotullohen, ndërsa rryma e prodhuar po futet në rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë.

Ndërmarrja kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’ ka zhvilluar tri projekte të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, të emëruara Selaci 1, Selaci 2 dhe Selaci 3.

Në kuadër të projekteve, kompania do të vendosë 27 turbina të prodhuesit General Electric, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh. Secili projekt ka nga nëntë turbina të erës të vendosura.

Përvec vendosjes së turbinave, projekti përfshinë edhe ndërtimin e linjës së transmetimit me gjatësi prej 19 kilometrash, si dhe ndërtimin e një nënstacionin në rajonin e Bajgorës. Ndryshe, pak kohë më parë ka përfunduar me sukses edhe testimi i linjes së largpërquesit, të ndërtuar në kuadër të projektit.

Projektet do të kontribuojnë në zbutjen e ndikimeve klimatike, duke rritur pjesën e gjenerimit të energjisë së ripërtërishme në Kosovë dhe duke shtuar 105 MW të kapacitetit të gjenerimit të energjisë me erë në sistemin kombëtar të energjisë.

Përfundon me sukses energjizimi i linjës së ndërtuar nga Elektrostublla për projektet në Bajgorë

Lexo më shumë

Projektet poashtu do ta rrisë ndjeshëm pjesën e energjisë elektrike të gjeneruar nga energjia e erës në Kosovë, që përndryshe është kryesisht e varur nga gjenerimi i energjisë me thëngjill.

Projektet janë financuar përmes një kredie nga BERZH, në vlerë prej 58 milion eurosh. Përvec financimit nga BERZH, projektet financohen edhe nga Erste Bank dhe NLB Group deri sa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët.

Në këto projekte, që konsiderohen ndër më të rëndësishmet në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, janë duke marrë pjesë investitorë nga shtatë vende të ndryshme të botës, me Gjermaninë dhe Izraelin si partnerë kryesor.

Për ndërtimin e projekteve është angazhuar kompania e njohur gjermane – Notus Energy, ndërsa për ndërtimin e largpërquesit, Elektrostublla nga Kosova.

Projektet e erës në Bajgorë në mbrojtje të shpendëve, mësoni për masat e ndërmarra

Lexo më shumë