Search

Përfundon me sukses energjizimi i linjës së ndërtuar nga Elektrostublla për projektet në Bajgorë

July 27, 2021


Ka përfunduar me sukses procesi i energjizimit të linjës së tensionit të lartë 110 kV që lidhë NS 110/35kV Vushtrria 1 me parkun energjetik me erë në Selac.

Linja me gjatësi mbi 19 kilometra, e ndërtuar nga kompania nga Kosova – Elektrostublla, do të bëjë transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar nga era në Bajgorë në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.

‘Sot kemi përfunduar me sukses procesin e energjizimit të linjës së transmetimit për projektet e erës në Bajgorë. Tani linja që kemi ndërtuar është gati të transmetojë energjinë e gjelbër dhe të pastër të prodhuar nga parqet e erës në Bajgorë, në rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë’, ka thënë Kristë Ramaj nga Elektrostublla, kompania e kontraktuar për ndërtimin e kësaj linje për projekt.

I gjithë procesi i ndërtimit të largpërquesit është mbikqyrur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, ndërmarrja Notus nga Gjermania përmes inxhinierëve dhe specialistëve, Rexhep Shaqiri nga KOSTT dhe Emira Polloshka nga NOTUS.

Në kuadër të projektit janë angazhuar dhe kompani tjera për mbikqyrje të procesit.

Ndryshe, parqet për prodhimin e erës me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh do të sjellin 27 turbinave nga prodhuesi i mirënjohur General Electric në rajonin e Selacit në Bajgorë.

Në këtë projekt, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në sektorin e energjisë së ripërtritshme në Kosovë, janë duke marrë pjesë investitorë nga shtatë vende të ndryshme të botës, me Gjermaninë dhe Izraelin si partnerë kryesor.

Vlera totale e investimit është 170 milionë euro. Investimi është duke u realizuar nga kompania “SOËI Kosovo” në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Pjesa më e madhe e projektit financohet me kredi nga BERZH.