Search

Energjia në veri, rregullatori po mbledh informata për shkeljet e “Elektrosever”

08 Korrik, 2024


Pagesa e energjisë në katër komunat veriore nuk duket se është duke shkuar sipas pritshmërive. Kjo çështje është ngritur edhe në takimin e fundit në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pala kosovare ka shprehur disa shqetësime për shkelje të rënda nga kompania “Elektrosever”, e licencuar nga autoritetet në Kosovë, e që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS.

Ndër këto shqetësime janë që në faturat që i shpërndan kjo kompani përdoret termi jokushtetues “Mitrovica Kosova” si dhe përdoret kodi postar i strukturave paralele dhe jo i Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këto shkelje, Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se është duke mbledhur informata dhe më pas do të marr një vendim.

“Kohëve te fundit Zyra e Rregullatorit për Energji ka marr informata se furnizuesi ‘Elektrosever’ në faturat e energjisë elektrike të shpërndara tek konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës. Lidhur me këtë ne kemi kërkuar informacion të detajuar nga ‘Elektrosever’. Aktualisht jemi në pritje të marrjes së informatave zyrtare nga ‘Elektrosever’. ZRRE-ja pasi t’i ketë të gjitha informatat e nevojshme për trajtim do të veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi”, njofton Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Partia Demokratike e Kosovës fajëson Qeverinë për dështim të implementimit të Marrëveshjes për Energjinë ndërsa për këto shkelje thotë se “Elektroseverit” duhet t’i merret licenca.

“Është krejtësisht normale që Rregullatori e ka përgjegjësinë nëse shkelen parimet e ligjeve të Rregullorit të Energjisë dhe ligjet e kushtetutës së vendit gjithsesi duhet t’i tërhiqet licenca”, tha Ferat Shala, deputet i PDK.

Një tjetër shqetësim mbetet edhe pagesa në nivel të ulët e energjisë elektrike na qytetarët në veri që shkakton probleme të tjera në raport me obligimet që “Elektrosever” ndaj Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT.

Në lidhje me këtë çështje, A2 ÇN tentoi të merrte një qëndrim nga kryeshefi i kësaj ndërarrje Evetar Zeqiri, por i njëjti refuzoi të përgjigjej.

Opozita thotë se pagesën për energjinë e shpenzuar në veri do të vijojë ta bëjë KOSST.

“Fatkeqësisht tani jemi duke paguar ende, KOSST vetëm i ka mbi 20 milionë euro tashmë është në borxhe, fatkeqësisht vetëm zhurmë është bërë por implemetnim real nuk ka përveç elementeve të marketingut politik që i ka zhvilluar qeveria në bashkëpunim edhe me KOSST”, shtoi Shala.

Për herë të parë që nga viti 1999, në fund të muajit shkurt të këtij viti, qytetarët në komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut pranuan faturat e energjisë me një tarife fikse. Për rreth 25 vite, energjinë atyre ua paguan qytetarët e komunave të tjera si dhe Qeveria e Kosovës.