Search

Enegjia solare në Shqipëri: Licencohen 122 MW energji diellore, 4 licenca të reja gjatë vitit 2024

26 Korrik, 2024


Viti 2024 ka shënuar zhvillime në drejtim të licencave të dhëna për prodhimin e energjisë nga dielli dhe kapacitetit që pritet të instalohet nga ndërtimi i parqeve në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, të përpunuara nga TV SCAN, deri në këtë periudhë të vitit janë licencuar 4 kompani, teksa kapaciteti total për projektet e tyre është 122 MW.

Ky trend ndjek atë të 2 viteve të fundit, që është karakterizuar nga një rritje e numrit të kompanive të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli. Kjo, duke qenë se gjatë vitit 2023 u dhanë 9 licenca për një kapacitet total prej 102 MW, ndërsa gjatë vitit 2022 u licencuan 15 kompani për projekte me kapacitet të instaluar të parashikuar prej 227 MW. Licencimi i tyre erdhi pas periudhës 3 – vjeçare 2019-2021 kur nuk u dha asnjë licencë e re.

Licencat e para për prodhimin e energjisë nga dielli u dhanë në vitin 2018, ndërsa aktualisht numërohen 40 kompani.

Dhënia e këtyre lejeve merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi është i varur thuajse tërësisht nga energjia ujore.

Aktualisht centralet që janë në funksion kanë një kapacitet të instaluar prej 193 MW, teksa rritja e konsideruesheme e këtij kapaciteti u shënua këtë vit nga hyrja në prodhim e parkut fotovoltaik të Karavastasë që ka një fuqi të instaluar prej 140 MW.