Search

Dritë jeshile për qymyrin te shumë shtete të botës, Kosova ende e paqartë

10 Tetor, 2023


Për dallim nga shumë shtete të tjera, që pas krizës së madhe të theksueshme globale energjetike, që iu rikthyen qymyrit “të anatemuar” dhe të shpallur “të ndaluar”, Kosova vazhdoi të jetë shumë e “dëgjueshme”, e pavendosur, me shumë hezitime për t’ia “kthyer shpinën” qymyrit tonë- rezervave të pafundta të këtij resursi, dhe për të vazhduar të mos ketë energji të bollshme për konsumin e vet, sidomos në periudhat dimërore.

Buletini Ekonomik

Kosova, zyrtarët edhe autoritetet e saj, të gjithë pa përjashtim, që nga paslufta nuk treguan konsistencë dhe nuk u treguan fare parashikues, largpamës, sa i përket nevojës së ndërtimit të domosdoshëm të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike. Thjeshtë, qoftë nga padituria e përgjegjësve, qoftë nga mungesa e vullnetit politik në këtë periudhë nuk u nis dhe as nuk u finalizua asnjë projekt i prodhimit të rrymës, pos atij në bazë të erës që u finalizua me para të kompanive të jashtme në Shalë të Bajgorës. Nuk nisi dhe nuk përmbylli asnjë kapacitet elektroenergjetik të ri as Qeveria Kurti, me gjithë premtimet e shumta, vizionet goxha shpresëdhënëse dhe fjalët e mira për projekte të reja energjetike.

Të gjitha qeveritë e deritashme të Republikës, pa përjashtim, u treguan të pazonja dhe sterile rreth ndërtimit të një kapaciteti të ri elektroenergjetik, sidomos në bazë të qymyrit, për çka Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë kushte ideale dhe optimale- qymyrë në rezerva të pashterrshme (sipas vlerësimeve të stërpërsëritura tash e sa vjet, 13-14 miliardë rezerva të qymyrit ka Kosova), dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, që e bën shumë më të lehtë dhe më të lirë eksploatimin e tij. Për dallim nga shumë shtete të tjera, që pas krizës së madhe të theksueshme globale energjetike, që iu rikthyen qymyrit “të anatemuar” dhe të shpallur “të ndaluar”, Kosova vazhdoi të jetë shumë e “dëgjueshme”, e pavendosur, me shumë hezitime për t’ia “kthyer shpinën” qymyrit tonë, dhe për të vazhduar të mos ketë energji të bollshme për konsumin e vet, sidomos në periudhat dimërore.

Thënë më drejtpërdrejt, zyrtarët dhe autoritetet e vendit tonë, sikur mezi kanë pritur në këto vite ndonjë ndalesë, rezolutë restriktive dhe vendime të asociacioneve ndërkombetare antiqymyr, ndërkohë që shtetet e botës që i kanë paraprirë fushatave kundër thëngjillit, ishin të parat që pas krizës energjetike iu rikthyen këtij resursi.

Së fundi, këto ditë, sërish, Qeveria gjermane i ka dhënë dritën jeshile rifillimit të disa njësive të energjisë me qymyr, si pjesë e përpjekjeve për të shmangur mungesat e energjisë elektrike këtë dimër, mes importeve të pakësuara të gazit natyror rus, kanë njoftuar agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Sipas këtyre njoftimeve, objektet do të funksionojnë deri në mars. Lufta në Ukrainë dhe mungesa e gazit natyror e detyruan Gjermaninë të riaktivizojë disa nga termocentralet e saj me qymyr edhe dimrin e kaluar. Vendi prodhoi rreth 1.9 GWh energji elektrike në këtë mënyrë, dhe më pas vendosi termocentralet në gatishmëri gjatë verës.

Gjithashtu vitin e kaluar, u mor një vendim për të çmontuar një fermë me erë në shtetin gjerman të Rhein-Westfalisë së Veriut, në mënyrë që të zgjerohej një minierë e hapur e linjitit aty pranë, e drejtuar nga gjiganti energjetik RWE. Vendimi i vendeve evropiane për të vendosur sigurinë energjetike si qëllim parësor dhe për t’iu drejtuar prodhimit të energjisë me qymyr, më kot është kritikuar si një humbje e tranzicionit energjetik dhe veprimit klimatik. Sipas vendimit të fundit të qeverisë në Berlin, disa njësi rezervë në tre termocentrale me qymyr të operuar nga kompanitë energjetike RWE dhe LEAG do të jenë në funksion deri në mars 2024. Termocentralet në fjalë janë Niederaussem dhe Neurath e RWE dhe LEAG Jaenschëalde, sipas raporteve.

Vende të tjera evropiane, si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, kanë përdorur gjithashtu prodhimin e energjisë me qymyr në një përpjekje për të garantuar sigurinë e energjisë në mes të krizës së shkaktuar nga lufta e vazhdueshme Rusi-Ukrainë. Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit. Në Europë, flukset e reduktuara të gazit rus kanë shtyrë, pos Austrisë dhe Gjermanisë edhe disa qeveri të konsiderojnë një rikthim në qymyrin. Më konkretisht, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë treguar që të gjitha se termocentralet me qymyr mund të përdoren për të kompensuar një ulje të furnizimit me gaz rus.

Me fjalë të tjera, qymyri është rikthyer sërish në përdorim të domosdoshëm kohët e fundit, sidomos te vendet e kamura, me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm, gjithandej nëpër shtete të shumta të Europës, edhe në shtete afërsi të vendit tonë. Një termocentral i ri fare me qymyr (linjit), me fuqi instaluese 660 megavatësh, sivjet fare në fillim të vitit (më 13 shkurt 2023) e kishte inaguruar edhe Greqia. Termocentralin e kishte inauguruar personalisht kryeministri grek Mitsotakis, i cili me këtë rast, siç raportonin mediet nga Greqia, kishte thënë se termocentrali i ri është i një rëndësie strategjike për këtë vend dhe se gjatë ndërtimit janë përdorur pajisje moderne që garantojnë uljen e emetimeve.

Ndërsa, në Kosovë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara) dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e termocentraleve të vjetëruara, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është bërë e largët.

Sepse, në bazë të këtyre të dhënave, vetëm disa shtete të rajonit të Ballkanit në Europë (në mesin e tyre prinë Kosova), po vazhdojnë të jenë “të dëgjueshme” për të hequr gradualisht qymyrin dhe për të dekarbonizuar prodhimin e energjisë.

Por Kosova e pavendosur për ta valorizuar qymyrin me rezerva të pafundta, po vazhdon të ndiej shumë mungesën e energjisë elektrike dhe të gjitha pasojat që vijnë nga kjo mungesë, në radhë të parë duke paguar miliona para për importin e rrymës së munguar.

Në Kosovë, pra, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit, mundësia e përdorimit të këtij resursi si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, akoma është fare e paqartë. Autoritetet në të shumtën e kohës heshtin, ndonjëherë edhe lansojnë ndonjë parashikim, siç ka ndodhur në këto vite dhe që po vazhdon njësojë edhe me qeverinë aktuale.

Fillimisht, me nisjen e mandatit të Qeverisë Kurti, u tha se do të rindërtohet tërësisht Kosova A, pastaj se do të ndërtohen 2 blloqe të këtij termocentrali të stërvjetëruar, dhe së fundi zyrtarët, edhe vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka potencuar se objektiv i rindërtimit te Kosova A do të jetë vetëm një nga njësitë prodhuese të saj.

Edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031 parashihet vetëm një njësi e A-së të rindërtohet. Në këtë mënyrë, për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë e që po e shqyrtojnë dhe po e bëjnë pa frikë tashmë shumë shtetete të Europës, sidomos ato të fuqishmet ekonomikisht, nuk flet kush me dëshirë në Kosovë.

Madje, ekspertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtin fare, se sa flasin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar, qoftë në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike, qoftë në ndonjë kapacitet eventual të ri fare. Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë është i anatemuar pafundësisht dhe në një farë mënyre është bërë temë tabu dhe e padiskutueshme brenda institucioneve, por edhe botës elektroenergjetike të vendit.

Edhe në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione qymyri si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit, është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë energjetike 2022-2031, bëhet fare pak fjalë për qymyrin.

Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekput në prodhimin e energjisë së rinovueshme duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A, do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit “Kosova” A” do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) të disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë energjetike 2022-2031, nga ku nënkuptohet, se deri më 2024 as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të Kosovës A.

Dhe kjo nënkupton, se as që do bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim. Por, nënkupton edhe faktin e pakonstestueshëm se në këto vite, pa investime në rinovimin e disa njësive ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe të dy blloqeve të Kosovës B, ose pa rindërtimin e tërësishëm të disa blloqeve të Kosovës A, Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme të vetën, as deri më 2025, dhe as pas këtij viti, kur parashihet që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë.

Sepse, edhe po qe se Kosova më 2025 do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme, kjo sasi është e barabartë sa prodhimi aktual i një blloku e gjysmë të Kosovës A. Dihet, se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe të centraleve në bazë të erës, asnjëherë nuk mund të arrihet dhe ato rëndom prodhojnë diku të gjysma e fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit. Edhe një fakt tjetër tepër i rëndësishëm, dhe për shumë punonjës e ekspertë të KEK-ut, i domosdoshëm, që po anashkalohet nga zyrtarët dhe vendimmarrësit është rreziku shumë i madh që paraqesin blloqet e aktivizuara të stërvjetruara të Kosovës A, të cilat janë në prodhim që nga vitet e gjashtëdhjeta dhe sot e kësaj dite ato prodhojnë, por paraqesin rrezik permanent për punonjësit dhe popullsinë përrreth, nga vjetërsia dhe amortizimi i stabilimenteve të tyre. Dhe, për këtë shkak, këto blloqe të Kosovës A, ose duhet urgjentisht të rinovohen tërësisht, ose duhet vënë dryrin. Tjetër zgjidhje nuk ka, potencojnë në unison ekspertët e KEK-ut. Termocentralet Kosova A duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. S’ka asnjë alternativë tjetër.

Kjo ishte përgjigjja e prerë e një njohësi të dëshmuar të zhvillimeve energjetike në vend dhe në botë, në interesimet e mëhershme të Buletinit Ekonomik për “fatin” e mëtejshëm të këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë, dhe si i tillë edhe jo pak i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por edhe më se të nevojshëm për stabilitetin e sistemit eketroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretave të nevojave të konsumit kosovarë për rrymë. Dihet, Kosova A-tre blloqet (A 3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në qorrsokak, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse, Kosova A akoma prodhon 35 për qind të energjië elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale edhe për nga vlera financare, kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e frikshme të krizës energjetike, e cila e ka përfshirë tashmë jo pak edhe Kosovën.

Sidoqoftë, tani shtrohet pyetja, çka do të bëhet në Kosovë për ta kompenzuar mungesën e energjisë në vitet në vazhdim. A do të ketë Kosova paratë e bollshme për të importuar energji super të shtrenjtë në stinën e dimrit, kur gjithmonë ka qenë më e shtrenjtë energjia elektrike. Prandaj shtrohet pyetja pse, një herë e mirë nuk po sheshohen e shqyrtohet deri në detaje të gjitha opcionet e mundshme për të pasur edhe Kosova energji të mjaftueshme elektrike.

/Buletini Ekonomik