Search

Drejtori KEK flet për koston e financimit të rindërtimit të ‘Kosova A’

04 Shkurt, 2022


Drejtori ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka diskutuar për planet e mundshme dhe kostot e mundshme për rindërtimin e termocentralit me qymyr më të vjetër dhe më ndotës të vendit, termocentralin Kosova A.

Krasniqi vuri në dukje se kostot përkatëse janë të prirura për të ndryshuar, por ka shpjeguar se sipas një vlerësimi të përafërt, renovimi i një blloku të termocentralit ‘Kosova A’ mund të kushtojë nga 70 deri në 120 milionë euro.

Këto komente, Krasniqi i bëri gjatë emisionit ‘Kallxo Pernime’ në kuadër të kallxo.com.

“Mund të jetë nga 70 deri në 100-120 milion për bllok. Që i bije 3 njësi… nëse themi mesatare 100, 3 blloqe bëjnë 300 [mlion], kapaciteti i të cilëve mund të kthehet deri në 200MW”, tha Krasniqi.

I pyetur se për sa mund të zgjasë ky investim afatin e funksionimit të Kosovës A, Krasniqi tha 15 vjet.

Megjithatë, ai ka theksuar se ky projekt, si dhe rindërtimi apo investimi tjetër përkatës në termocentralin Kosova B, do të jenë më të qarta kur të përfundojë Strategjia e Energjisë, e cila aktualisht është duke u hartuar nga Ministria e Ekonomisë.

Megjithatë, ai konfirmoi se kjo përgjigje do të jetë në strategji.

“Së pari ju e dini që Ministria e Ekonomisë është duke e përpilu strategjinë e energjisë, kshtuqë është pak herët të flasim se kah do të shkoj drejtimi nëse do të rindërtohen termocentralet apo jo”, tha ai.

“Ideja është që kur të bëhet rindërtimi ato do ta kenë jetëgjatësin diku 15 vite t’a zëmë”, sqaroi Krasniqi.

Për më tepër, drejtori i KEK arsyetoi llogarinë e këtij investimi duke sqaruar se nuk ka alternativë tjetër, dhe se nuk mund të krahasohen cmimet e importit me këtë investim.

Sa i përket financimit të projektit, drejtori i KEK-ut deklaroi se financimi ende nuk është përcaktuar, por mund të jetë nga vetë KEK-u, qeveria apo edhe ndonjë kompani e mundshme që mund të tregojë burimin e financimit të projektit.

“Edhe kjo pjesë tash që do të vije pas strategjisë. Mund të ketë financim edhe të KEK’ut mund të ketë financim edhe nga shteti, mund të ketë edhe nga palët tjera”, tha ai.

“Ka raste që edhe vetë kompania që oferton për rindërtimin e termocentralit pjesë e kontratës e përfshin edhe financimin, burimet e financimit”, theksoi ai.