Search

Central fotovoltaik në Durrës me kapacitet 3 MW

11 Prill, 2024


Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e radhës vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse nga shoqëria “Desla”, në bashkinë e Durrësit.

Sipas vendimit, ky cental nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse. Kapaciteti i instaluar i centralit fotovoltaik është 3 MW.

Ndërkohë koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë 36 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Afati i operimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Në vendim përcaktohet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;

E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse dhe mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shoqëria “DESLA”, sh.p.k., ka detyrimin që t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit, si dhe të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.