Search

Bullgaria braktisë planet për centralin bërthamor në Belene, zbulon planet për reaktorët e rinj në Kozloduy

23 Shkurt, 2022


Kryeministri bullgar, Kiril Petkov ka thënë se në vend të ndërtimit të një centrali të ri bërthamor në Belene, autoritet në Bullgari po konsiderojnë ndërtimin e disa reaktorëve të rinj në centralin ekzistues bërthamor në Kozloduy.

Kështu tha Petkov disa muaj pasi NuScale Power dhe Bulgarian Energy Holding (BEH) nënshkruan marrëveshjen për instalimin e reaktorëve të ri modular (SMR) në Kozloduy, Bullgari.

Kohë më parë, kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov kishte thënë se ndërtimi i centralit të ri bërthamor Belene përfaqëson ‘shpenzim të paarsyeshëm dhe aferë korruptive’, dhe zbuloi se Bullgaria nuk do të vazhdojë me zbatimin e projektit. Ai kishte thëne edhe se ndërtimi i reaktorëve të rinj në Kozloduy si ide duket shumë më e arsyeshme.

Ndryshe, në vitin 2006 Kompania Kombëtare e Bullgarisë për Energji Elektrike (NEC) dhe Rosatom nga Rusia kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e centralit të ri bërthamor në Belene.

Sipas planifikimeve fillestare, projekti përfshinte ndërtimin e dy njësive bërthamore në Belene me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit prej më shumë se 2 gigavatësh.

Bullgaria ka investuar më shumë se 1.5 miliard euro në projekt, por në vitin 2009 procesi ishte ndërprerë, anipse Rosatom kishte prodhuar pjesët e para të pajisjeve për këtë central. Si rrjedhojë, në vitin 2016 kompania bullgare NEC kishte paguar 601.6 milion euro borxhe ndaj Rosatom për dështimin e projektit.

Në maj të vitit 2018, ish kryeministri bullgar Boyko Borissov ishte përpjekur të rifillonte projektin. Përmes një procedure të hapur, në qershor 2020 një konsorcium i përbërë nga Rosatom, Framatome SAS nga Franca dhe General Electric kishte nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për projektin, por edhe ky proces është suspenduar për shkak të krizës pandemike.

Sipas raportimeve të fundit të mediave, qeveria në Sofje sërish vendosi për braktisjen e këtij projekti, si dhe të përdorë pajisjet e Rosatom për të ndërtuar një reactor të ri në centralin ekzistues bërthamor Kozloduy.