Bordi i ZRRE miraton Rregullën e Re për kompenzimin e prodhueseve me BRE si dhe 2MW kapacitete të reja
April 28, 2026

Më 22.04.2026, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur seancën e tretë për vitin 2026.
Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar një sërë dokumentesh si:
- Bilanci i Energjisë Elektrike për vitin 2026,
- Rregulla mbi Kompenzimin Financiar për Kufizimin sipas Skemave Mbështetëse,
- Rregulla për Garancitë e Origjinës,
- Plani Pesë-vjeçar për Zhvillimin e Rrjetit të Transmetimit për Periudhën 2026-2030,
- Plani Dhjetë-vjeçar për Zhvillimin e Rrjetit të Transmetimit për Periudhën 2026-2035 dhe
- Raporti i Vlerësimit të Konkurrencës në Sektorin e Energjisë për vitet 2024-2025
Bordi ka shqyrtuar poashtu edhe Amandamentimin e Rregullave të Tregut dhe përgjigjet ndaj komenteve ne Raportin e Monitorimit të HC Ujmani.
Në këtë seancë është bërë edhe shqyrtimi i propozimit për vendosjen e obligimit të shërbimit publik për furnizim me shërbim universal me ç’rast ky obligim i është caktuar KESCO-s për periudhë 2 vjeçare, përkatësisht deri më 31 mars 2028. Është bërë edhe shqyrtimi i propozimit/vendimit për përcaktimin e përgjegjësive të Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme, rol të cilin e luan KOSTT, transmeton Kosovo Energy.
Sa përket prodhimit të energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, është aprovuar lëshimi i autorizimit për subjektin juridik LE KOSOVO RENEWABLE ENERGY JSC dhe janë aprovuar edhe 53 kërkesa për marrjen e autorizimit për vetë-konsum, përkatësisht 38 persona fizik dhe 15 subjekte juridike, me kapacitet total prej 2 MW.