Search

Bizneset thonë se është shtyrë liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, i gëzohen vendimit të ZRRE-së

01 Prill, 2021


Përmes postimeve në rrjete sociale, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës kanë përshëndetur vendimin e ZRRE-së për shtyerjen e vendimit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike, më saktësisht krijimit të mundësive të daljes së konsumatorëve në treg të hapur sipas parimeve të vendosura në Ligjin për Energjinë Elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, përmes postimeve në rrjete sociale kanë njoftuar se është arritur shtyerja e daljes së kompanive kryesore të vendit në treg të “derregulluar” të energjisë elektrike.

‘Gjendja e tanishme, ku vetëm një operator është funksional dhe i aftë të ofroj shërbimet, shkel parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe dëmton rëndë konsumatorin e veçanërisht prodhuesin vendor’, kanë thënë Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Ata kanë kërkuar që të rishikohet e gjithë korniza ligjore për energji për të parandaluar situata të tilla.

Në anën tjetër, duke falenderuar të gjithë akterët e përfshirë në këtë vendim, si Kuvendin, Qeverinë, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe në veçanti deputeten Mimoza Kusari – Lila, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës theksoi se është gjetur një zgjidhje afatshkurtër për një problem kompleks, që kërkon zgjidhje afatgjate.

‘Anomalia qe krijonte kjo situate e re per keto kompani, do te reflektohej me rritje te kostove te energjise elektrike, deri ne 30% per shumicen e bizneseve te medha, sidomos ato nga sektori i prodhimit. Vendimi i sotem per shtyrje te zbatimit te rregullave per daljen e nje pjese te bizneseve ne treg te derregulluar te energjise ka shpetuar miliona euro te bizneseve dhe qindra vende pune’, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka sqaruar tutje se ditëve në vijim do të fillojnë diskutimet me Kuvendin dhe Qeverinë për këtë çështje.

Gjersa në fund, Rukiqi përmbylli njoftimin duke insistuar se nuk do të ketë investime serioze në Kosovë, nëse nuk gjindet një zgjidhje afatgjate për sektorin e energjisë.