Search

Bie shtylla e energjisë elektrike, Skënder Gashi jetoi 10 vjet me frikë

13 Shkurt, 2024


Tash e 10 vjet, Skënder Gashi e bën rrugën e njëjtë për të shkuar në vendin e tij të punës. Një gjë ka ndryshuar. Sot ai ndihet i rrezikuar të kalojë nëpër shtegun e njëjtë.

60-vjeçari, i cili është punëtor sigurimi në një biznes që gjendet skaj rrugës Prishtinë – Gjilan, frikësohet se një ditë do të mbetet i vdekur gjatë rrugës për në punë apo kthimit në shtëpi.

Kjo si pasojë e një shtylle të energjisë elektrike me tension të lartë.

Që t’i ikë kësaj shtylle, tashmë Gashi ka gjetur një hyrje alternative, e cila ia zgjatë atij rrugën e zakonshme që e bënte për në punë.

Frika më e madhe e 60-vjeçarit se një ditë kjo shtyllë do të bie, u bë realitet. Ka rreth dy muaj prej që shtylla e energjisë elektrike u rrëzua në rrugë, duke bërë që për orë të tëra i gjithë fshati të mbetet pa rrymë.

Tmerrin e asaj dite e tregon vetë Gashi në rrëfimin e tij për emisionin Kiks Kosova.

Problemi i shtyllës elektrike, sipas Gashit, nuk është prej vetëm kur u rrëzua ajo. Rreziku që iu kanoset daton tash e një dekadë. Sipas tij, çdo ditë iu duhet të mësohen të jetojnë me frikën se diçka e keqe mund t’u ndodhë.

Ky qytetar shqetësimin e tij e kishte drejtuar edhe në KEDS, siç thotë ai, me dhjetëra herë. Kërkesa e tyre ishte që shtylla të vendoset sipas parametrave të duhur.

Mirëpo, nga KEDS-i u kthyen gjithmonë të refuzuar.

Edhe pas rrëzimit të shtyllës, Gashi thotë ta kenë kontaktuar KEDS-in, duke i treguar për rrezikun që u kanoset.

Sipas tij, ata iu premtuan se do të rregullohet, por deri tash kryerja e punës nuk duket në horizont. Në fakt, e vetmja gjë që shihet është shtylla e rrëzuar.

Shtylla u kthye në një sherr të madh për vetë Gashin dhe biznesin në të cilin ai punon.

Sipas tij, problemi me shtyllën po i pengon ata që të bëjnë renovimin e objektit, meqë asnjëra nga kompanitë ndërtuese nuk po pranojnë të punojnë me ta.

Ndryshe nga deklaratat e Skënder Gashit, KEDS-i drejton gishtin kah pronari i biznesit, në të cilin punon Gashi, kur bëhet fjalë për hedhje të fajit.

Madje, nga KEDS-i thonë se një problem të tillë e kanë të raportuar edhe në Policinë e Kosovës.

Mirëpo, për zhvendosjen e shtyllës, sipas KEDS-it, do të paguajë vetë pronari i biznesit. Kjo ngase për gjendjen e shtyllës së energjisë elektrike, KEDS-i e cilëson fajtor vetë shefin e Skënder Gashit.

/klankosova.tv