Bie çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit
April 21, 2026
Irani dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë njoftuar për hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për kalimin e anijeve, pas këtij vendimi ka reaguar edhe tregu i naftës.
Thuajse në të njëjtin moment, çmimet e naftës në tregun botëror kanë rënë ndjeshëm. Çmimi i naftës WTI ka rënë me 11.8% duke zbritur në 83$.
Rënie është shënuar edhe te nafta Brent, e cila ka rënë me 11.32%, në 88$, shkruan skynews.
Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe te nafta Crude, e cila ka rënë në 84$, përkatësisht me 10.67%.
Marrëveshja SHBA–Iran vjen gjithashtu në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit mes Libanit dhe Izraelit, pasi Teherani ka kërkuar që edhe kjo çështje të përfshihet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Iranit dhe SHBA-së.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në një itinerar të koordinuar që tashmë është njoftuar nga Organizata për Portet dhe Çështjet Detare e Republikës Islamike të Iranit”, ka deklaruar ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi.
/Telegrafi