Search

BERZH financon me 30 milionë euro kredi ndërtimin e centralit diellor në Belsh të Shqipërisë

30 Prill, 2024


Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të marrë 30 milionë euro kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të financuar ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Belshit.

Centrali diellor me fuqi të instaluar prej 50 mega vatë vlerësohet se do të kushtojë 40 milionë euro në totasl.

Veç kredisë 30 milionë euro nga BERZH, 8 milionë euro të tjera do të financohen me grant nga Bashkimi Europian, ndërsa 2 milionë eurot e mbetura do të paguhen me fondet e brendshme të KESH.

Kjo është vepra e parë madhore e prodhimit të energjisë, që ndërtohet nga KESH, që pas rënies së sistemit komunist. Centrali do të ndërtohet dhe do të jetë në pronësinë e KESH.

Ndërtimi i centralit diellor në Belsh do të diversifikonte portofolin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila aktualisht prodhon energji vetëm nga hidrocentralet dhe një pjesë të papërfillshme nga disa panele lundruese të instaluara në to. Për këtë arsye korporata dhe financat e saj janë totalisht të varura nga kushtet atmosferike. Në vitet me reshje, KESH përballon furnizimin e vendit me energjie dhe siguron të ardhura, por në vitet e thata financat e kompanisë tronditen nga importet masive të energjisë.

Sipërfaqe 60 ha

Impianti diellor fotovoltaik (PV) 50 Më dhe nënstacioni përkatës do të vendosen në Bashkinë Belsh në një zonë prej rreth 60 hektarësh dhe një linjë e re 110 kilovolt prej rreth 9 km do ta lidhë atë me rrjetin në nënstacionin ekzistues në Kajan. Ky i fundit do të zgjerohet si pjesë e Projektit.

Sipas BERZH, zona e impiantit diellor ndodhet në një terren kodrinor dhe habitatet në vend dhe përgjatë linjës elektrike janë përgjithësisht të modifikuara dhe nuk kanë vlerë të rëndësishme biodiversiteti.

Projekti nuk ndodhet në ose ngjitur me ndonjë zonë të mbrojtur ose të njohur për biodiversitetin e tyre. Përdorimi ekzistues i tokës në zonën e Projektit është i kufizuar në sigurimin e kullotave me cilësi të ulët dhe tokat bujqësore brenda zonës së përgjithshme të impiantit dhe përgjatë linjës do të shmangen.

BERZH thotë se është zhvilluar një Kuadër i Risistemimit, i cili përshkruan parimet e marrjes dhe kompesimit të tokës nga banorët e zonës.