Search

BERZH dhe ERSTE miratojnë kredinë 91.4 milionë euroshe për parkun e erës në Serbi

04 Prill, 2024


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe huadhënësi nga Austria, Erste Group Bank AG, kanë miratuar kredinë 91.4 milionë-euroshe për ndërmarrjen nga Izraeli – Enlight Renewable Energy për ndërtimin e parkut 94 megavatësh të erës në Serbi, kanë thënë nga BERZH.

BERZH dhe Erste do të dhurojnë secila kredi prej 45.7 milionë eurosh, ndërsa dega e ndërmarrjes Enlight në Serbi do të përdorë të njejtat për të financuar zhvillimin, ndërtimin dhe operimin e parkut të erës Pupin, thuhet në komunikatën e publikuar nga BERZH të mërkurën.

Ky projekt po zhvillohet bashkërisht nga Enlight dhe ndërmarrja serbe New Energy Solutions (NES), dhe pritet të fillojë operimin komercial në pjesën e dytë të vitit 2025, thuhet në komunikatë.

Projekti Pupin është vazhdimësi e projektit ekzistues të erës prej 104.5 megavatësh të emëruar Kovaqica në pjesën veriore në Vojvodinë, që gjithashtu është në pronësi të Enlight dhe është financuar nga të njejtit huadhënës në vitin 2017. Projekti në Kovaqicë është inauguruar në vitin 2019.

Pas komisionimit, projekti në Pupin do të prodhojë mjaftueshëm energji për të furnizuar mbi 40 mijë amvisëri. Projekti kishte përfituar nga ankandet e parat ë hapura të Serbisë për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese të rrymës nga burime të ripërtëritshme të erës, që u mbajt në vitin 2023.

Serbia pritet të publikojë edhe dy ankande të erës në vitin 2024 dhe në vitin 2025, secila për 300 megavat kapacitete prodhimi të rrymës nga era.

Deri më tani, BERZH ka investuar rreth 9 miliardë euro në më shumë se 350 projekte në Serbi.