Search

BE do të financojë projekte të gazit që plotësojnë kushtet si financime të gjelbërta

24 Mars, 2021


Bashkimi Evropian planifikon të etiketojë disa termocentrale të gazit si investime të qëndrueshme, pasi propozimi për të mos i etiketuar këto projekte si të gjelbërta ishte kundërshtuar nga 10 shtete anëtare.

Propozimi i ri i Komisionit Evropian, i ndarë me të gjitha vendet e BE-së të shtunën që lamë pas, do të klasifikojë termocentralet me gaz që prodhojnë energji elektrike dhe energji termike të ngrohjes ose ftohjes si investime të gjelbërta, vetëm nëse të njejtat plotësojnë kushtet strikte për emetime.

Propozimi i ri i BE-së për termocentrale të gazit është pjesë e Taksonomisë së Qëndrueshme Financiare, që përcakton se cilat aktivitete ekonomike mund të definohen në Evropë si investime të qëndrueshme nga viti 2022.

Komisioni Evropian nuk ka pranuar të komentojë për draft propozimin ndërsa pret të finalizojë rregullat e financimit të qëndrueshëm deri më 21 prill.

Minatorët në Australi i bëjnë thirrje BE-së ti vlerësojë si të qëndrueshme energjinë bërthamore dhe karburantet fosile

Lexo më shumë

BE ka për qëllim të drejtojë më shumë investime kapitale në projekte miqësore ndaj mjedisit për të arritur qëllimet për zvogëlim të emetimeve të gazrave serë që shkaktojnë ndryshimet klimatike.

Por, mënyra e trajtimit të projekteve të gazit naytyror nga Taksonomia e re e Qëndrueshme Financiare e BE-së është vënë në qendër të mosmarrëveshjeve të vendeve anëtare. Këto mosmarrëveshje kanë shtyrë ndryshimin e propozimit fillestar të Komisionit të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.

Gazi natyror, një karburant fosil, gjatë djegies në termocentrale prodhon dioksid karboni sa gjysma e qymyrit. Vendet sikurse Polonia dhe Gjermania planifikojnë të vazhdojnë djegien e gazit për prodhim të energjisë elektrike, si alternativë më pak e dëmshme se qymyri.

Sipas draft planit të ri, të gjitha termocentralet me gaz që prodhojnë energji elektrike dhe energji termike të ngrohjes apo ftohjes mund të klasifikohen si investime të gjelbërta nëse zëvendësojnë teknologjitë për të zvogëluar emetimet e gazrave serë për më së paku 50 për qind për cdo kilovat orë rryme të prodhuar.

Termocentrali me gaz duhet të operojë deri në vitin 2025 dhe kanë potencial të përdorimit të karburanteve me më pak emetime të karbonit në të ardhmën, si dhe të mos emetojë më shumë se 270 gram të CO2 për kilovat orë energji elektrike.

Komisioni nuk do t’i etiketojë si investime të gjelbërta termocentralet me gaz që vetëm prodhojnë energji elektrike, ose edhe ato që prodhojnë edhe energji termike por nuk zëvendësojnë teknologjinë e prodhimit të rrymës.

Sipas kësaj logjike, pothuajse të gjitha termocentralet me gaz që operojnë për momentin duhet të bëjnë ndryshime për të mundësuar më pak emetime dhe për t’u etiketuar si investime të gjelbërta.