Avokati i Popullit kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së – Qytetarët dhe bizneset në gjendje kritike ndaj ndryshimit të tregut dhe çmimeve
May 02, 2025

Avokati i Popullit ka kërkuar nga ZRRE pezullimin e menjëhershëm të vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.
Në një njoftim zyrtar, institucioni ka vënë në dukje se “vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”.
Sipas Avokatit të Popullit, kjo situatë ka krijuar shqetësime serioze për “përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë”.
Avokati i Popullit gjithashtu ka theksuar mungesën e koordinimit institucional në kohën kur janë marrë këto vendime.
“Këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, thuhet në reagim.
Duke ju referuar përgjegjësive që i takojnë Qeverisë në përputhje me legjislacionin në fuqi, Avokati i Popullit ka rikujtuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes së barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike”.
Institucioni ka apeluar për më shumë përgjegjësi dhe transparencë nga ana e ZRrE-së, duke theksuar se “organet e pavarura si ZRrE duhet të kenë përgjegjësi të shtuar, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, sidomos kur vendimet prekin interesin publik në masë të madhe”.
Në anën tjetër deri në 30% pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim, shkruan REL.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji, ZRRE, ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.
Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.
Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni.
Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.
Një shembull është Frutex në Suharekë, që po kërkojnë kompani vendore për të negociuar çmimin e energjisë.
Kompania për prodhimin e lëngjeve Frutex në Suharekë është një nga kompanitë që nga qershori do gjejë vetë kompaninë furnizuese për rrymë.
Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë se kanë dërguar kërkesë për takim në të gjitha kompanitë e licencuara për furnizim me energji, në mënyrë që të negociojnë për çmimin. Megjithatë, Palushi ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga to.
“Po pres në ditët në vazhdim… por, nuk besoj se ato janë të përgatitura për këtë proces, sidomos në kushtet e turbulencës që kanë mbizotëruar vitet e fundit lidhur me çmimet e energjisë elektrike”, thekson ai.
Palushi tregon se për një muaj shpenzon energji në vlerë deri në 40 mijë euro. Në rast të rritjes së çmimit për 30%, për sasinë e njëjtë të shpenzuar ai do të paguante mbi 52 mijë euro.
“Sigurisht se kjo do të rrisë shpenzimet operative, por ne do të bëjmë përpjekje që fillimisht të ketë ndikim në uljen e profitit të kompanisë dhe jo të rrisim çmimet”, thotë ai.
Kompanitë e licencuara, të papërgatitura për ofrimin e shërbimeve
Odat ekonomike në Kosovë kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi, pasi sipas tyre, edhe pse kompanitë janë të licencuara, shumica prej tyre nuk kanë pasur klientë fundorë dhe kanë ekzistuar vetëm “në letër”, pa veprimtari reale tregtare.
Ky tranzicion, sipas tyre, do të destabilizojë furnizimin dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.
Për këtë arsye, më 21 mars, Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi nga Avokati i Popullit që të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e vendimit për të paktën një vit.
Avokati i Popullit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar ankesën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe është duke e shqyrtuar.
“Për Avokatin e Popullit kjo është një situatë komplekse për faktin se këto zhvillime janë bërë në kohën kur institucionet kryesore janë në krijim e sipër”, thuhet në përgjigje, ku shtohet se shtrenjtimi i tarifave të rrymës do të ketë pasoja në të drejtat socio-ekonomike për qytetarët.
Megjithatë, ZRRE-ja përsëriti se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për t’i furnizuar bizneset me energji pas liberalizimit të tregut.
“Shumica e furnizuesve janë duke bërë përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative për të qenë funksionalë në treg”, thuhet në një përgjigje që ZRRE-ja i dërgoi REL.
ZRRE-ja thotë se është duke zhvilluar takime të rregullta dhe informuese me të gjithë furnizuesit e licencuar me qëllim që të informohen në mënyrë sa më të qartë rreth hapave dhe mundësive që ofron liberalizimi i tregut.
/Telegrafi