Ankandi i parë i BRE-ve do të ketë tre lote – kapaciteti total është 100 MW
19 Maj, 2022
Projektet e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë morrën hovin e zhvillimit kur vendi prezantoi tarifën nxitëse si një mekanizëm për të joshur dhe mbështetur zhvillimin e projekteve të tilla – inekzistente në atë kohë në Kosovë.
Megjithatë, tarifat ‘feed-in’ bënë punën e tyre dhe ‘misioni’ i tyre u përmbyll në vitin 2020.
Kështu, ka hapur rrugën për mekanizmin e ardhshëm të bazuar në parime të tregut për të mbështetur zhvillimin e projekteve të BRE-ve në Kosovë – ankandet e energjisë së rinovueshme.
Përfaqësuesit e ME-së dhe ZRRE-së të pranishëm në emision diskutuan pak më detajisht këtë herë në lidhje me ankandet.
Sipas tyre, raundi i parë i ankandit do të prezantojë një total prej 100 MW në kapacitete diellore, të cilat do të ndahen në tre lote të ndryshme.
Loti i parë do të ketë 15 MW, i cili do të segmentohet në pesë projekte nga 3 MW, duke pritur kështu të nxjerrë pesë fitues apo zhvillues të ndryshëm nga ankandet.
Loti i dytë do të ketë 35 MW kapacitet diellor, por do të jepet si një njësi e vetme zhvillimi dhe për këtë arsye vetëm një fituesi do t’i jepet mundësia për të zhvilluar një projekt të tillë.
Në logjikë të ngjashme do të organizohet edhe loti i tretë, por loti i tretë dhe i fundit i ankandit të parë të energjisë së rinovueshme do të ketë një kapacitet diellor 50 MW.
Këtë tender do ta menagjonë Ministria e Ekonomisë, ZRRE dhe KOSTT.
“Është duke u folur për një kapacitet prej 100 megavatëve në total, ankandi i parë, por ky është rekomandim I grupit dhe kjo shkon në qeveri e cila vendos a do të jetë 100 apo 50”, tha Besiana
Qorraj.
“Ne bashk me ta kemi me shpall tenderin edhe kemi menagju. Janë vendosur tri llote. Lloti i parë ka me shku deri në 15 megavat, gjeneratorë të vegjël, kanë me u nda 5 gjeneratorë me nga 3 MW. E kanë cmimin nën cmimin referent që është i vendosur me ZRRE”, tha Ajvazi.
“Janë të ndara në disa pjesë më të vogla, për shkak se duam t’i nxisim edhe investitorët lokal jo vetëm investitorët e jashtëm, në mënyrë që me pas mundësi me ofertu të gjithë me pas sa më shumë oferta”, tha Qorraj.
“Ndërsa, lloti i dytë i ka 35MW dhe pritet vetëm një investitorë (fitues). Dhe i treti llot është 50MW ka me u prit vetëm një investitorë. Do të thotë 85MW kanë me ju nda dy investitorëve”, tha ai.
“100 mund të aplikojnë, por vetëm cmimi më i ulët fiton”, theksoi Ajvazi.
Nga ministria thonë se brenda vitit do të organizohet ankandi i parë, që sipas diskutimin pritet të sigurojë 15 megavat kapacitete të reja në 5 projekte të ndryshme me nga 3MW.
Afrim Ajvazi ndau se me rekomandim në nëntor pritet të shpallet tenderi.
Mungesa e politikave stimuluese të zbatueshme dhe të dukshme për të lehtësuar instalimin dhe zhvillimin e kategorisë së gjeneruesve për vet-konsum në sektorin energjetik të Kosovës ishte tema kryesore e diskutimit gjatë emisionit të mbrëmshëm #KallxoPernime.
Diskutimi kishte si panel diskutues Drejtorin e Departamentit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Afrim Ajvazi, Sabri Ternava, drejtorin e Departamentit për kujdes ndaj kujdesit ndaj konsumatorëve – KEDS, teksa Besiana Qorraj nga Departamenti i energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë poashtu ishte pjesë e diskutimit.
Në diskutim morën pjesë edhe nga sektori privat Trim Tërnava, përfaqësuesi i “Jaha Solar” dhe Lulzim Syla nga ELEN.