Search

Trimi Tërnava për kapacitetin potencial të ‘prosumers’ në Kosovë: Një cak realistik për dhjetë vitet e ardhshme mund të jetë rreth 300-400 megavat

19 Maj, 2022


Mungesa e politikave stimuluese të zbatueshme dhe të dukshme për të lehtësuar instalimin dhe zhvillimin e kategorisë së gjeneruesve për vet-konsum në sektorin energjetik të Kosovës ishte tema kryesore e diskutimit gjatë emisionit të mbrëmshëm #KallxoPernime.

Nga sektori privat, Trim Tërnava nga Jaha Solar, theksoi se sipas analizave dhe studimeve, potenciali real për instalimin e paneleve diellore për gjeneratorët për vet-konsum për 10 vitet e ardhshme është deri në 400 megavat.

Gjithashtu, ai theksoi frikën e tij për objektivin e mundshëm të vendosur nga Ministria e Ekonomisë në strategjinë e ardhshme të energjisë për kategorinë gjeneratorëve për vet-konsum (prosumers).

Megjithatë, Tërnava këmbënguli se caqet janë një udhërrëfyes i mirë drejt zhvillimit të kategorisë, por nuk mund të jenë një cak kufizues nëse tregu kërkon më shumë.

“Ka shumë studime që janë bërë, studimet më të mirat janë ato që i kanë bërë bizneset, sepse në bazë të tyre ne kemi bërë plane të punës”, tha ai.

“Unë mendoj që një cak realistic për dhjetë vitet e ardhshme mund të jetë rreth 300-400 megavat që garant është shumë më i lartë se ai që e ka paraparë qeveria, sepse ne e dijmë që politika shkon me caqe pak më të buta”, theksoi Tërnava.

“Potencial teknik kemi edhe më shumë, por potencial dhe feedback prej tregut është 300 deri në 400 megavat”, tha ai.

“Cka kemi parë na tërë kohën, në raport me politik bërësit, sidomos në sektorin e energjisë, është një hezitim i tërë sektorit në raport me energjinë e ripërtëritshme”, bëri të ditur ai.

“Ne, mundemi të themi se ka frymë në media pro energjisë së gjlebër, por vendimmarrësit e energjisë në Kosovë nuk është se hala besojnë shumë, sepse shumica prej tyre vec se vijnë prej kohës së qymyrit”, tha ai.

“Caku nëse vendoset 100MW a ka me u limitu aty apo do të jetë e mundur që të rritet nëse shohim që tregu po ec më shpejt se sa caku”, tha ai.

Afrim Ajvazi: Kemi filluar me ndryshu rregullin për vet-konsum, është si ide 400kW

Lexo më shumë

Tërnava: Të hiqet TVSH-ja për instalimet e paneleve diellore, askush në vitin 2022 nuk beson se Kosova do të ndërtojë një termocentral të ri me qymyr

Megjithatë, ai theksoi sërish pamundësinë politike apo mungesën e vullnetit për të hequr barrierat e thjeshta që do të lehtësonin investimet dhe për rrjedhojë do ta bënin më tërheqës instalimin e paneleve diellore.

Ai përmendi nevojën për heqjen e TVSH-së për instalimet e paneleve diellore, që paraqet një nga hapat e parë dhe vendimtar që vendet e tjera kanë ndërmarrë për të shtyrë përpara këtë pjesë të sektorit.

Tërnava vuri në dukje se kjo nuk do të ishte në dëm të buxhetit të shtetit, duke pasur parasysh se ato të ardhura tashmë janë pothuajse zero për shkak të mungesës së interesit nga qytetarët – duke theksuar nevojën e heqjes së tyre për ta bërë atë më tërheqës për investime.

Madje, ai vuri në dukje se ndihma e madhe për investime do të ishte edhe subvencionimi prej 100 milionë milionësh i qeverisë për importet e shtrenjta gjatë sezonit të fundit të dimrit, në pikun e krizës energjetike.

Tërnava theksoi se me një investim prej 100 milionë eurosh në sektorin e prosumerëve, me një subvencionim 100% të projektit, rreth 10,000 familje do të ishin totalisht të pavarura nga furnizimi nga rrjeti.

“TVSH-ja e kish zvogëlu për 18% menjëherë kthimin e investimit. Ne, hapi i parë dhe më i thjeshtë që nuk ka nevojë të pritet as strategjia, as ligji”, tha Tërnava.

“Sepse pak mendoj se këto strategjitë po i bëjnë dembela zyrtarët shtetëror, sepse nuk ke nevojë me pritë strategji për me liru TVSH-në për shtëpi, masa e parë emergjente e të gjitha vendeve ka qenë kjo”, tha Tërnava.

“Është sen shumë i thjeshtë, bëhet me një udhëzim administrative. Është bërë një studim nga INDEP i detaizum ku ceket impakti dhe shihet që nuk ka kurrfarë impakti në buxhet të Kosovës. Kjo nuk ka impakt, sepse ne nuk jemi duke e mbush buxhetin e shtetit me TVSH-në që jemi duke e marrë nga panelet solare”, tha ai.

“Ne tash jemi duke i dhënë sektorit 100 deri në 130 milion euro, i kemi dhënë subvencion për një tre mujorësh dimrit me import shumë të lartë”, theksoi ai.

“Tash, nëse një shtëpi dëshiron të pavarësohet tërësisht edhe mos me pas nevojë fare me gjujt energjinë në rrjet ka me i kushtu diku rreth 11 deri në 12 mijë euro”, tha Tërnava.

“Me 100 milion euro ne do kishim mundësi me i subvencionu 10,000 shtëpi me u pavarsu tërësisht prej rrjetit, nëse i subvencionojmë 100%”, tha ai.

“Nëse i subvencionojmë 50%, që është përsëri ndihmë e madhe do kishim mundur t’i bëjmë 20,000 shtëpi. 20,000 shtëpi bëjnë 100MW”, tha ai.

“Mendoj që caku duhet të jetë udhërrëfyes por jo me kufizu. Pra, caku është i mirë sepse bazuar në cak ti bënë politika taman të zbatueshme, por nëse ne themi se kemi pasur 100MË edhe nuk kemi me leju më shumë se 100MË për 10 vite ajo pastaj është pengesë”, tha ai.

“Rreth ndikimit potencial të zhvillimit të këtyre kapaciteteve ndaj të ardhmes së qymyrit, Tërnava theksoi se në bazë të takimeve që ka pasur sektori privat me përfaqësues të ministrisë është kuptuar se qymyri në strategjinë e ardhshme nuk parashihet të ketë investime në kapacitete të reja gjeneruese”, theksoi ai.

“Unë mendoj se edhe në strategji, në bazë të takimeve që kemi qenë si përfaqësues të sektorit privat, qymyri është larguar si alternativ për gjenerim të ri”, tha ai.

“Nuk është larguar si alternativ për këto ekzistueset (termocentralet ekzistuese) për shkak se duhet të bëhet një tranzicion pak më të butë por mendoj që askush në Kosovë nuk ka iluzion që ne mund të bëjmë termocentral të ri në vitin 2022”, theksoi ai.

Sabri Tërnava: Ka hapësirë për akomodim të kapaciteteve të reja instaluese të BRE

Lexo më shumë