Search

AmCham rithekson: Gazi nga SHBA-ja, vendimtar për sigurinë kombëtare të Kosovës

June 01, 2026


Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre energjetike në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë është rikthyer debati për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.

Diskutimi vjen mes përpjekjeve të Uashingtonit për t’i diversifikuar burimet energjetike në rajon dhe nevojës së Kosovës për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë.

Lobi Amerikan për Gazin Natyror në Vend: AMCHEM organizon diskutim rreth sigurisë energjetike në vend

Lexo më shumë

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se gazi amerikan mund të luajë rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, duke theksuar se siguria energjetike sot është e barasvlershme me sigurinë kombëtare.

Në kontekstin e zhvillimeve globale, përfshirë konfliktet, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve, ai thotë se është e domosdoshme që Kosova t’i kthehet seriozisht çështjes së gazit.

Një alternativë e tillë, sipas tij, do ta ndihmonte vendin të ulë varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe të sigurojë stabilitet më të madh në çmimet e rrymës.

Por, Zeka e konsideron shqetësuese mungesën e një qëndrimi të qartë institucional për përfshirjen e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit.

“Gjithçka varet nga vullneti politik. Ndoshta jemi pak mbrapa në aspektin e legjislacionit ose të infrastrukturës ligjore. Financimi mund të sigurohet lehtë për këtë projekt. Prandaj, mungesa e qartë e një zotimi të Qeverisë, se Kosova do të bëhet pjesë e një infrastrukture të tillë, është pak paradoksale”, thotë Zeka.

Ai thekson se nga investitorët amerikanë ka interes dhe gatishmëri konkrete për të investuar në sektorin energjetik në Kosovë.

Historia e“LNG-së Amerikane”  në Kosovë

Në vitin 2021, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së.

Atëkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Por, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, Rizvanolli, tani ministre në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si vendimtar për ndërtimin e një sektori të sigurt energjetik.

Në fillim të këtij muaji, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Ekonomisë me pyetje lidhur me planet konkrete për lidhjen me rrjetin rajonal të gazit, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe bisedimet me palën amerikane, por nuk ka marrë përgjigje.

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim, çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.

Megjithatë, ai ka theksuar se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.

/REL