Search

ZRRE fillon bashkëpunimin me KfW për Zhvillimin e Politikave të Energjisë dhe Klimës

February 24, 2025


Zyra e Rregullatorit ka njoftuar se është mbjatur takim në mes Bordit të ZRRE-së dhe ekipit të KfW-së për politikat në sektorin e energjisë si dhe për reforma për KEK-un.

KfW në bashkëpunim dhe Qeverinë e Kosovës kanë filluar bashkëpunimin për Huanë e Bazuar në Politika (Policy Based Loan) për sektorët e klimës dhe energjisë, duke pasur si objektivë veprime të ndryshme të politikave, ndër to edhe reformat në lidhje me KEK-un.

ZRRE në një komunikatë për media ka njoftuar se gjatë këtij takimi diskutimi u fokusua në rëndësinë e funksionimit të ZRRE-së si agjenci e pavarur e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Acquis të Komunitetit të Energjisë, zhvillimet e fundit në tregjet e energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë në Kosovë, ecurinë e projekteve të bashkimit të tregut të energjisë elektrike, tarifat e furnizimit me energji dhe zhvillimet e fundit, me fokus të veçantë në ngarkesat për kapacitet, instalimin e njehsorëve të mençur  dhe aspekte të ndryshme lidhur me operimin e REMIT.

Poashtu, interes i veçantë i është drejtuar aktiviteteve të ZRRE-së që mund të ndikojnë në operacionet e ardhshme të KEK-ut dhe sfidat kryesore për zhvillimin e mëtejmë të tregut dhe zhvillimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të operatorit të termocentraleve.

“ZRRE mbetet e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin me akterët ndërkombëtarë, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik në Kosovë. ” thuhet në këtë komunikatë të rregullatorit.