Search

Timmermans: Taksat e karbonit nuk janë arsyeja kryesore për rritjen e çmimit të rrymës

20 Shtator, 2021


Rritjet e fundit të çmimit të energjisë elektrike në disa vende nuk duhet përdorur për të ngadalësuar tranzicionin e gjelbërt në BE, por duhet të përshpejtojë këtë proces, ka thënë Frans Timmermans, zëvendës presidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi për Marrëveshjen e Gjelbërt Evropiane, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Ai ka shtuar se ky trend duhet përdorur për të bërë energjinë e ripërtëritshme të përballueshme për të gjithë.

Rritja e çmimit të taksave të dioksidit të karbonit nuk është e vetmja arsyje për rritjet e fundit të çmimit të energjisë elektrike, ka thënë Timmermans, ndërsa ka shtuar se çmimi i rrymës ka shënuar rritje në shumë vende të BE-së kryesisht për shkak të mungesës së burimeve në treg.

Kështu ka folur Timmermans në një mbledhje ku po diskutohej pakoja ‘Fit for 55’, apo pakoja legjislative e BE-së që synon zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë me 55% deri në vitin 2030.

Në fund të muajit gusht çmimi i karbonit kishte shënuar 60 euro për një ton, ndërsa vetëm në dhjetor të vitit 2020 çmimi për ton ishte 31 euro.

Taksa e karbonit llogaritet të jetë një ndër nxitësit kryesor për emetuesit e karbonit, në mënyrë që këta të fundit të fillojnë përdorimin e energjisë së gjelbërt.

Timmermans gjithashtu ka theksuar se çmimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme ka qëndruar i ulët dhe ishte stabil gjatë ‘krizës së çmimeve të energjisë elektrike’.

Sipas tij, sikur BE të kishte Marrëveshjen e Gjelbërt Evropiane vetëm pesë vite më herët, çmimet nuk do të kishin shënuar rritje pasi i gjithë blloku evropian do të ishte më pak i varur në karburante fosile dhe gaz natyror.

Ndërsa po sqaronte se të gjitha masat e propozuara në ‘Fit for 55’ do të ndikojnë në rritje të cmimeve, Timmermans bëri thirrje që kujdes ti kushtohet grupeve më të cenuara.

Sipas tij, udhëheqësit e BE-së dhe anëtarët duhet të sigurohen që barra e tranzicionit të energjisë të ndahet në mënyrë të barabartë për shoqëri dhe komunitete të ndryshme.