Search

Tahiri: Bilfinger, iniciativa më jo-serioze energjetike e pas-luftës në Kosovë

24 Janar, 2022


Mungesa e kapaciteteve vendore të prodhimit të mjaftueshëm të rrymës për të mbuluar kërkesën në rritje për këtë produkt, vlerësohet të jetë ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë. E pikërisht për shkak të mungesës së prodhimit dhe rritjes së importeve të kushtueshme të rrymës, është paralajmëruar edhe rritja e mundshme e cmimit të rrymës në vend.

Një nga projektet e shumëpërmendura të mundshme energjetike të Kosovës së pasluftës ishte edhe projekti i kompanisë gjermane Bilfinger, i cili kishte të bënte me rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese të qymyrit në Kosovë, përkatësisht, termocentralit Kosova A.

Nga përfaqësuesit e pozitës, pikërisht mungesa e projektit të Bilfinger është cilësuar si një ndër të metat e sektorit të energjisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shumë herë e ka përmendur kompaninë gjermane “Bilfinger”, e cila parashihej të rivitalizonte termocentralin “Kosova A”.

‘Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MË fuqi secila’, kishte shkruar edhe kryeministri Kurti pas rikthimit në prodhim të bllokut B2 të termocentralit Kosova B.

Për këtë, Kryeministri e ka akuzuar LDK-në se gjatë kohës kur Isa Mustafa ishte kryeministër, e kishin refuzuar një projekt të tillë.

Tahiri: Bilfinger u takua me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin Mustafa

Por, sipas deputetit Abelard Tahiri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, iniciativa e Bilfinger për rehabilitimin e termocentralit Kosova A është ndër iniciativat më jo-serioze energjetike të pas-luftës në Kosovë. Sipas tij, ky projekt nuk është refuzuar, por asnjëherë nuk është përfunduar nga kompania.

Madje, në seancën për energjinë elektrike të mbajtur të hënën më 24 janar, deputeti Tahiri ka konfirmuar se Bilfinger është takuar me ish-kryeministrin Thaçi dhe Mustafa, derisa këta të dytë ishin në pozitë.

Ai ka thënë se aq ishte jo-serioz projekti, sa që kompania ka dorëzuar vetëm diku rreth 20 faqe në sllajd, dhe asgjë më shumë, anipse Kosova ishte ‘super-korrekte’ me ta dhe ju ka dhënë mundësinë të sjellin ofertën e tyre.

‘Sot në qeverinë e Kosovës nuk mund të gjendet asnjë material nga Bilfingeri përvec këtij slajdi me 20 faqe. Pra 20 faqe kanë pru një material, për një punë prej 800 milion eurosh. Aq ka qenë jo-serioze kjo punë, sa që asnjëherë nuk kanë arritë të tregojnë financimin e këtij projekti. Nuk kanë pasë asnjë bankë as askënd prapa’, ka thënë Tahiri.

Madje, deputeti bëri krahasimin me projektin tjetër të termocentralit Kosova e Re, me kompaninë amerikane ContourGlobal.

‘20 faqe dokumentacion, krahasuar me dokumentacionin e ContourGlobal, ku ka me dhjetëra mije dokumente të prodhuara, deri te koha kur është dashtë me u finalizu. Sepse ka qenë proces serioz’, ka thënë Tahiri.

‘Ka qenë jo-serioze. Asgjë nuk ka qenë. Ka qenë inciiativa më jo-serioze ndonjëherë në Republikën e Kosovës për energji’, ka ripërsëritur deputeti Tahiri.

Deputeti Tahiri ka treguar që kompaninë e përcjellin shumë skandale në botë, duke përfshirë edhe afera korruptive.

‘Është edhe rasti I fundit me zyrtarët e lartë të FIFA dhe UEFA. Jemi mësu me e pa si kompani të angazhuar në afera të mëdha korruptive, edhe me presidenta në Afrikë e kështu me radhë’, ka thënë deputeti Tahiri.

Mega-skandalet e Bilfinger, ryshfet miliona dollarësh në Nigeri e Brazil

Shumë raportime e përfshijnë kompaninë Bilfinger në afera korruptive në botë.

Sipas raportimeve në media, kohë më parë Bilfinger u detyrua të paguajë plot 32 milionë dollarë, pasi kishte dhënë ryshfet te disa zyrtarë nigerianë, për të marrë kontrata për një projekt gazi në vendin afrikan.

Bilfinger dyshohej, po ashtu, se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.

Kjo kompani, gjatë vitit 2013 u detyrua t’i paguajë 32 milionë dollarë si pasojë e akuzave penale të SHBA-së se ka korruptuar zyrtarët nigerianë për të marrë kontrata për një projekt gazi në vendin afrikan.

Madje, lajmi për këtë ishte bërë i ditur edhe nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së.

Prokurorët e akuzuan kompaninë “Bilfinger” se ka dhënë më shumë se 6 milionë dollarë ryshfet, në kundërshtim me Aktin e Praktikave Korruptive të Jashtme të SHBA-së.

Bilfinger punoi me të tjerët për të rritur çmimin e një oferte me 3 për qind për ta mbuluar koston e pagesave.

Por, ky nuk është skandali i vetëm i kompanisë së preferuar nga Kurti. Gazetat gjermane kishin njoftuar se Bilfinger dyshohet të jetë e përzier edhe në një skandal korrupsioni në Brazil.

Kjo kompani thuhej se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.