Search

Szunyog: Nuk kemi marrë përgjigjje për gazin nga muaji tetor

01 Nëntor, 2021


Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se BE nuk ka pranuar përgjigjje nga Qeveria e Kosovës për projektin e gazit që nga muaji tetor, ndërsa kërkoi që sa më shpejtë të përfundojë strategjia e energjisë e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë në emisionin Debat në Plus në RTV Dukagjini, Szunyog tha se gazi është një ndër opcionet për burimet tranzicionale të energjisë, por se i takon qeverisë së Kosovës të përcaktojë një strategji të re gjithpërfshirëse të energjisë që mundëson rrugën e pashmangshme të dekarbonizimit.

‘Gazi është një burim i energjisë me karbon, nuk është i gjelbër, por e kuptojmë se tranzicioni nga thëngjilli në energji të gjelbër mund të marrë vite dhe mund të kërkojë shumë teknologji, dhe gazi është një prej burimeve të mundshme për periudhën tranzitore’, ka thënë Szunyog.

Szunyog: Ne jemi gati të financojmë linjën e gazsjellësit Shkup - Prishtinë

Lexo më shumë

‘Ne i kemi ofruar Kosovës të shikojë projektin e gazsjellësit ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës në tetorin e kaluar, ende nuk kemi marrë përgjigjje nga qeveria nëse kjo është dicka që Kosova është e interesuar ta bëjë’, ka thënë Szunyog.

Gjatë intervistës, Szunyog ka përsëritur se shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të respektojnë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe të synojnë dekarbonizimin.

Ai ka kërkuar nga Kosova që sa më shpejtë të përcaktojë strategjinë e energjisë, që mundëson përfundimin e përdorimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike, në afat të caktuar.

‘Ne dëshirojmë të shohim zotim dhe përkushtim të qartë të Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen e gjelbër dhe dekarbonizim, dhe dua të jem i qartë se Kosova duhet të përfundojë prodhimin e rrymës me thëngjill për të qenë neutrale ndaj karbonit’, ka thënë Szunyog.

‘Qartazi, prodhimi alternativ i energjisë është i rëndësishëm por edhe eficienca e energjisë, por ajo që kërkojmë nga Qeveria e Kosovës është të shohim këtë strategji sa më shpejtë’, ka shtuar ai tutje.

Szunyog: Strategjia e energjisë dhe plani për energji dhe klimë janë kritike

Lexo më shumë