Search

Szunyog: Ne jemi gati të financojmë linjën e gazsjellësit Shkup – Prishtinë

14 Korrik, 2021


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE është e gatshme për të investuar në gazsjellësin Shkup – Prishtinë dhe se nuk do të përkrahë investime të reja në qymyr.

Në intervistën në emisionin e rregullt ‘Kallxo Përnime’, Szyong gjithashtu theksoi se Kosovës i nevojitet të përcaktojë sistemin për zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

Tutje, ai poashtu theksoi se ekziston një mirekuptim më i gjerë nga Bankat Evropiane, por edhe nga bota e zhvilluar, që qymyri nuk ka ndodnjë të ardhme në aspektin afatgjatë në Kosovë.

BE-ja nuk do të përkrahë në asnjë mënyrë burime të reja të energjisë të bazuar në qymyr

“Pozicioni i BE-së është shumë i qartë për këtë. Nuk ka asnjë mënyrë që BE të mbështesë ndonjë burim të ri të energjisë me bazë qymyri, është kaq e qartë. Ne gjithashtu e kuptojmë se tani ekziston një marrëveshje e përgjithshme që asnjë Bankë Evropiane nuk do të financonte diçka të tillë, dhe ekziston një marrëveshje edhe më e përgjithshme, dhe unë mendoj se kjo është pjesë e Marrëveshjes së Parisit, ne tani jemi duke u përgatitur për këtë takim të Glasgou në vjeshtë, se kjo është marrëveshja e përgjithshme e të gjithë botës së zhvilluar”, tha Szunyog.

Szyong tha se tranzicioni energjetik në Kosovë nuk mund të ndodhë brenda natës, e sidomos në rastin e Kosovës, ku pjesa më e madhe e energjisë elektrike prodhohet nga qymyri.

“Ne e kuptojmë që realiteti në Kosovë është që 97% e energjisë elektrike e prodhuar në Kosovë është nga termocentrale të qymyrit, që sigurisht paraqet efekte domethënëse në mjedis por edhe për shëndetin e popullsisë, gjë që është mjaft e rëndësishme të nënvizohet”, tha ai.

Szunyog: Duhet një sistem i qartë i subvencionimit për burimet alternative të energjisë, tranzicioni nuk bëhet brenda natës

Për të adresuar këtë, ai sqaroi se janë duke u mbajtur diskutime me qeverinë e Kosovës në mënyrë që kjo e fundit të vijë me një strategji të qartë energjetike.

“Në këtë mëyrë, ne nuk jemi duke thënë se kjo duhet të bëhet brenda natës, mirëpo ne dëshirojmë të bisedojmë me qeverinë në mënyrë që qeveria të vijë me një strategji të qartë energjetike sa më shpejtë që është e mundur, që do të bazohej në kërkesat për dekarbonizimin e ekonomisë së Kosovës, kërkesat për neutralitet ndaj karbonit, dhe në një periudhë kohe të arsyeshme”, tha shefi i Zyrës së BE në Kosovë.

Shefi i Zyrës së BE në Kosovë theksoi se tranzicioni energjetik në Kosovë duhet të përfshijë elemente të tilla si liberalizimi i tregut të energjisë, por nënvizoi se vëmendje duhet ti kushtohet edhe edukimit për çështjet mjedisore dhe energjetike.

Ai tha se përvec strategjisë, Kosovës i duhet të vendosë edhe sistem për subvencionimin e burimeve alternative të energjisë.

“Por gjithashtu, ne nuk duhet të shohim vetëm këtë nivel makro të vendimeve strategjike. Unë mendoj se duhet të jetë një lloj shtytje më e madhe për efiçensë të energjisë dhe kursime, por edhe për një lloj kampanjave edukative për individë, për shkak se edhe individët janë përgjegjës se ku hudhen mbeturinat”, tha Szunyog.

Szunyog: Ne jemi të gatshëm të financojmë gazsjellësin që vije nga Jugu, nga Shkupi deri në Prishtinë

Gjatë diskutimit përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë foli edhe për projektet investive të BE-së në sektorin e enegjisë në Kosovë.

Ai përmendi projektin e filterëve që tashmë është duke u implementuar në termocentralin Kosova B, projekt ky që pritet të ketë ndikime të jashtzakonshme pozitive në mjedis.

Në anën tjetër, Szunyog theksoi se Bashkimi Evropian poashtu ka ofruar dhe është i gatshëm që të financojë linjën e gazsjellësit, për të ndërlidhur Prishtinën me gazsjellësin në Shkup.

Mirëpo, teksa dekarbonizimi dominonte bisedën rreth sektorit energjetik, ai theksoi se natyra e një resursi si gazi nuk paraqet një zgjidhje të përhershme, por mbase një alternativë tranzicionale.

“Ne jemi duke ofruar alternativa për Kosovën. Ne jemi duke implementuar projektin për filterët në termocentralin Kosova B, mirëpo ne jemi poashtu duke ofruar alternativa, dhe kjo është pjesë e Planit Investiv Evropian”, theksoi Szunyog.

“Alternativat nënkuptojnë që ne jemi të gatshëm të financojmë gazsjellësin që vije nga Jugu, nga Shkupi deri në Prishtinë, dhe të përdorim gazin jo si alternativë përgjithmonë, mirëpo si një alternativë tranzicionale”, tha ai.

“Dhe sigurisht me sa kam kuptuar unë është se disa prej atyre teknologjive mund të adaptohen dhe shëndrrohen ose shndërrohen nga qymyri në gaz. Përsëri gazi nuk është një karburant neutral ndaj karbonit, por është më i mirë se linjiti që është këtu”, theksoi shefi i zyrës së BE.

Në këtë kuptim, ai poashtu foli edhe për gjeneratën e re të karburanteve, hidrogjenin, si një nga projektet kryesore e Planit Investiv Evropian.

“Së dyti, ne po kërkojmë gjithashtu mundësi për gjeneratën e ardhshme të karburanteve, për shembull hidrogjenin, kështu që si pjesë e Planit Evropian të Investimeve, ky është një nga projektet kryesore”, theksoi ai.

“Duhet të them se deri më tani nuk kemi pasur diskutime specifike se si të veprojmë saktësisht, ne sot kemi një seminar së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, se si ta formësojmë këtë strategji të re energjetike, por ne nuk po flasim vetëm për këtë, por duke ofruar ndihmë, ndihmë konkrete, e cila është mjaft domethënëse”, theksoi Szunyog.