Search

Subvencionet e huaja, Bashkimi Europian heton kompanitë kineze të turbinave

11 Prill, 2024


Komisioni Europian njoftoi në lidhje me një hetim ndaj furnizuesve kinezë të turbinave të prodhimit të energjisë me erë.

Brukseli zyrtar synon të përcaktojë nëse subvencionet e huaja u kanë dhënë atyre një avantazh të padrejtë në tregun europian.

Komisionerja e BE-së, Margrethe Vestager u shpreh edhe se kushtet e zhvillimit do të kontrollohen për qendrat e prodhimit të energjisë nga era në Spanjë, Greqi, Francë, Rumani e në Bullgari.

Eurokomisionerja Vestager vuri në dukje se Bashkimit Europian do t’i duhet një qasje më sistematike, hetimi i secilit rast në veçanti e jo një hetim i përgjithshëm.

Duhet ta bëjmë ketë para se të jetë tepër vonë. Ne nuk mund të lejojmë atë që ndodhi me panelet diellore të përsëritet me automjetet elektrike, turbinat e prodhimit të energjisë nga era apo mikroprocesorët.

Zyrtarja europiane, Vestager iu referua dominimit kinez në tregun europian të paneleve diellore.

Sot, më pak se 3% e paneleve diellore të instaluara në Bashkimin Europian prodhohen në Europë.

Po ashtu, eurokomisionerja shpjegoi se hetimet “nuk kanë për qëllim që të kufizojnë suksesin e Kinës. Ato kanë për qëllim që të rivendosin drejtësinë në marrëdhëniet tona ekonomike.”

Hetimi bazohet në rregulloren e vitit të kaluar për subvencionet e huaja. Nga 2023-shi, ajo rregullore lejon vlerësimin e ndikimit të subvencioneve të huaja për kompanitë që paraqesin oferta publike në vendet e BE-së e që mund të jenë shumë më të favorshme se rivalët e tyre.

Kjo pason dy hetime të tjera që përfunduan javën e kaluar, duke nxjerrë përfundmin se kompanitë kineze që kishin fituar një kontratë për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë diellore në Rumani, përfituan në mënyrë jo proporcionale nga subvencionet.

Një tjetër hetim për ndikimin e subvencioneve të huaja, filloi në tetor po të vitit të kaluar ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike, nën dyshimin se subvencionet i lejuan firmat kineze të mbanin çmime të ulëta e gjithashtu të fitonin një avantazh të padrejtë në treg.

Shqetësimet perëndimore për subvencionet e kompanive elektrike, më parë Kina i ka quajtur “të pabaza” dhe ka pohuar se suksesi i vendit në tregun ndërkombëtar është arritur falë novacionit.