Search

Ndërprerje masive të rrymës në Moldavi si pasojë e sulmeve ruse me raketa

28 Prill, 2024


Nga sulmet e fundit që goditën Ukrainën, përveç qytetit perëndimor Lviv, edhe në vendin fqinj, Moldavi, është raportuar për ndërprerje masive të energjisë elektrike.

Ndonëse nuk është goditur drejtpërdrejt, më shumë se gjysma e Moldavisë është pa energji elektrike, ka njoftuar zëvendëskryeministri Andrei Spinu, shkroi të mërkurën BBC-ja.

“Errësirë ​​masive në Moldavi pas sulmit të sotëm rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, ka shkruar ai.

Rusia ka shtuar kohët e fundit sulmet e saj ndaj rrjeteve energjetike të Ukrainës.

Një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh.

Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovy, tha se fëmijët ishin dërguar në strehimore me mësuesit e tyre, ndërsa u bëri thirrje prindërve që të mos i merrnin derisa të mbaronte alarmi.

Në rajonin e afërt të Zaporizhzhias, një foshnjë e porsalindur u vra kur një raketë goditi një njësi materniteti, thanë shërbimet e urgjencës. Për këtë sulm është fajësuar Rusia.

Shumë zona të Ukrainës të goditura të mërkurën ishin afër vendeve fqinje, duke përfshirë Lvivin, vetëm 80 km nga Polonia, ku një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase vrau dy njerëz javën e kaluar.

Qytetet Chervonohrad dhe Yavoriv, ​​gjithashtu afër kufirit polak, pësuan ndërprerje të energjisë elektrike.

Sulmet ruse kanë dëmtuar pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës dhe miliona njerëz janë pa energji ndërsa temperaturat bien drejt dimrit.